Pirdeni: 595 milionë lekë për reformën e administratës publike në 2027

18 Nov 2026 • 23:29
Shpërndaje:

Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, deklaroi në Kuvend se projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 595 milionë lekë për konsolidimin institucional, modernizimin e shërbimit civil dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të administratës publike.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, Pirdeni theksoi se reforma synon krijimin e një administrate më efikase, profesionale dhe të orientuar drejt rezultateve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Një nga ndryshimet kryesore është integrimi i Departamentit të Administratës Publike dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit në strukturën e Ministrisë për Administratën Publike.

Reklamë Ola

Sipas ministres, bashkimi i këtyre funksioneve në një strukturë të vetme synon përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, forcimin e përgjegjësisë dhe drejtimin më të qëndrueshëm të politikave të administratës dhe parandalimit të korrupsionit.

“Kërkesa buxhetore e konsoliduar e Ministrisë për Administratën Publike për vitin 2027 është 595 milionë lekë”, deklaroi Pirdeni, duke sqaruar se kjo shumë përfshin edhe funksionet ekzistuese të transferuara në ministrinë e re, të parashikuara më parë në planifikimin buxhetor afatmesëm deri në vitin 2029.

Reklamë InterMedika

Ministrja u ndal gjithashtu te reforma e shërbimit civil, e cila synon të forcojë sistemin e meritës, duke lidhur më ngushtë kompetencat profesionale, vlerësimin e performancës dhe përparimin në karrierë.

Një pjesë e fondeve të vitit 2027 do të përdoret për zhvillimin e sistemeve të reja digjitale dhe krijimin e një mekanizmi të ri për vlerësimin e performancës së drejtuesve të administratës publike.

Pirdeni theksoi se transformimi digjital dhe procesi i integrimit europian kërkojnë aftësi të reja profesionale, ndërsa vlerësoi rolin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike në përgatitjen e punonjësve për procesin e negociatave dhe detyrimet që lidhen me anëtarësimin në BE.

Duke iu referuar raportit të fundit të progresit të Komisionit Europian, ministrja tha se Shqipëria është vlerësuar me një nivel të moderuar përgatitjeje në reformën e administratës publike, çka, sipas saj, dëshmon përparimin e arritur, por edhe nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të reformave.

Në fjalën e saj, Pirdeni u ndal edhe te politikat e pagave, duke theksuar se përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike duhet të shoqërohet me mbështetje për punonjësit e administratës.

“Nuk mund të kërkojmë vazhdimisht standarde më të larta nga shërbimi publik pa i kushtuar vëmendje të veçantë mirëqenies së njerëzve që e garantojnë atë çdo ditë”, deklaroi ajo.

Ministrja kujtoi se procesi i rishikimit të pagave, i nisur në vitin 2023, ka sjellë rritje nga 35% deri në 65% për kategori të ndryshme të administratës publike.

Sipas saj, projektbuxheti i vitit 2027 vijon këtë politikë, duke parashikuar rritje të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe duke synuar një shpërndarje më të drejtë të pagave në administratë.

Pirdeni theksoi se investimi në administratën publike është i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.