Rreth 20 krerë shtetesh dhe qeverish, kryesisht nga Europa, pritet të mblidhen më 19 nëntor në Berlin për të diskutuar të ardhmen e Ukrainës, mbështetjen ndaj Kievit dhe mundësitë për avancimin e negociatave të paqes me Rusinë.
Takimi do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie në kryeqytetin gjerman, ndërsa pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ende nuk është konfirmuar nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të jetë i pranishëm.
Samiti organizohet në kuadër të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, një grup prej 36 vendesh i krijuar në mars 2025, që synon forcimin e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën, si dhe përgatitjen e garancive afatgjata të sigurisë në rast të një marrëveshjeje armëpushimi.
Megjithatë, mbeten pikëpyetje mbi angazhimet konkrete që vendet europiane janë të gatshme të ndërmarrin.
Stefan Meister, ekspert i Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP), vlerëson se Europa ende nuk ka paraqitur një plan të qartë për garancitë e sigurisë, vendosjen e mundshme të trupave apo kompromiset që mund të pranohen gjatë negociatave.
Takimi në Berlin vjen pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi, ku përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës arritën marrëveshje për një shkëmbim të burgosurish.
Ndërsa shtohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, brenda Europës ka nisur diskutimi mbi mënyrën e përfaqësimit të vendeve europiane në negociatat e mundshme të paqes.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi pas samitit të fundit të Bashkimit Europian në Dublin se në javët e ardhshme priten bisedime konkrete për paqen, në të cilat Europa duhet të ketë përfaqësimin e saj.
“Gjermania ka një vend në tryezë, kjo është absolutisht e qartë”, u shpreh Merz.
Sipas burimeve diplomatike në Berlin, përfaqësimi europian mund të përfshijë Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Poloninë, Italinë dhe drejtues të institucioneve të BE-së, mes tyre presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Nga ana tjetër, negociatori amerikan Jared Kushner ka ngritur shqetësimin për vështirësinë e vendeve europiane për të përcaktuar një përfaqësues të përbashkët në tryezën e bisedimeve.
Duke iu përgjigjur këtyre diskutimeve, zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, theksoi se forca e Europës qëndron te uniteti i vendeve të saj, ndërsa prioritet mbetet përfshirja e presidentit rus Vladimir Putin në negociatat për paqen.
Përpjekjet diplomatike zhvillohen në një kohë kur opinioni publik gjerman shfaq qëndrime gjithnjë e më të ndara për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Sipas sondazhit DeutschlandTrend të transmetuesit publik ARD, të publikuar në shtator 2026, 52% e të anketuarve mbështesin vazhdimin e furnizimit të Ukrainës me armë, ndërsa 42% mendojnë se kjo mbështetje ka shkuar shumë larg.
Një tjetër sondazh i publikuar nga WDR në nëntor tregoi se 54% mbështesin vazhdimin e ndihmës për Kievin, ndërsa rreth 29% preferojnë një afrim me Rusinë.
Samiti i Berlinit pritet të jetë një tjetër përpjekje për të koordinuar qëndrimin europian ndaj luftës në Ukrainë dhe për të përcaktuar rolin e kontinentit në një proces të mundshëm paqeje.


