Salla: 18 miliardë lekë për bujqësinë në 2027, rritet mbështetja për fermerët

18 Nov 2026 • 23:28
Shpërndaje:

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2027 për sektorin e bujqësisë, i cili parashikon një financim total prej 18 miliardë lekësh, ose 10% më shumë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.

Gjatë fjalës së tij, Salla bëri të ditur se fondet do të përqendrohen te zhvillimi rural, siguria ushqimore, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, peshkimi dhe akuakultura, si dhe modernizimi i institucioneve dhe digjitalizimi i shërbimeve.

8,4 miliardë lekë për zhvillimin rural

Reklamë Ola

Sipas ministrit, Programi i Zhvillimit Rural përbën shtyllën kryesore të buxhetit, me rreth 8,4 miliardë lekë, kundrejt 7,7 miliardë lekëve në vitin 2026. Ky program përfaqëson afërsisht 47% të buxhetit të ministrisë.

“Në këtë program përqendrohet mbështetja për fermerët, investimet në ferma dhe përgatitja për Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian”, deklaroi Salla.

Reklamë InterMedika

Ai bëri të ditur se janë parashikuar 120 milionë lekë shtesë, nga të cilat 100 milionë lekë do të shkojnë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes.

Siguria ushqimore, 3 miliardë lekë financim

Një tjetër prioritet i projektbuxhetit është siguria ushqimore, për të cilën janë planifikuar rreth 3 miliardë lekë, ose 87,3 milionë lekë më shumë se në vitin 2026.

Nga kjo shumë, 371 milionë lekë janë parashikuar për investime, ndërsa 694,1 milionë lekë për kontrollet zyrtare, programet e survejancës veterinare dhe fitosanitare, si dhe funksionimin e laboratorëve zyrtarë.

Ministri theksoi se modernizimi i sistemit të sigurisë ushqimore do të mbështetet edhe nga projekti EU4FoodSafety, me një financim prej 13,5 milionë eurosh nga Bashkimi Europian dhe qeveria gjermane.

Projekti synon përmirësimin e kontrolleve zyrtare, inspektimeve të bazuara në risk, kapaciteteve laboratorike dhe kontrolleve kufitare, në funksion të përafrimit me standardet europiane.

Rritet me 25% buxheti për peshkimin

Për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës janë parashikuar 727 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2026.

Sipas Sallës, objektivat përfshijnë rritjen e prodhimit të produkteve peshkore me 10–20% dhe të eksporteve me 15–20% deri në vitin 2028.

Ndërkohë, për Programin e Këshillimit dhe Informacionit Bujqësor janë planifikuar 872 milionë lekë, me synim që fermerët të kenë akses më të madh në informacion dhe shërbime këshillimore.

Ministri përmendi gjithashtu investimet në infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes, menaxhimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore dhe forcimin e kapaciteteve administrative, për të cilat programi i planifikimit dhe administrimit ka një tavan prej rreth 663 milionë lekësh.

Dyfishohet fondi për kompensimin e TVSH-së

Krahas financimeve buxhetore, Salla njoftoi se paketa fiskale e vitit 2027 do të përfshijë masa për uljen e kostove të prodhimit dhe mbështetjen e fermerëve.

Një nga masat kryesore është dyfishimi i fondit për kompensimin prej 10% të TVSH-së për faturat e fermerëve.

“Ky projektbuxhet është pjesë e një plani të gjerë të Qeverisë Shqiptare që synon uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e mundësisë së investimit në sektor”, deklaroi ministri.

Në përfundim, Salla u bëri thirrje deputetëve të mbështesin projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si një investim në prodhimin vendas, zhvillimin e zonave rurale, sigurinë ushqimore dhe integrimin europian të bujqësisë shqiptare.