×
Tuesday, April 21, 2026

Rama: “Dyfisho ndërmarrjen tënde” nuk do të aksesohet nga sipërmarrjet e mëdha

April 20, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se programi kombëtar “Dyfisho ndërmarrjen tënde” nuk do të aksesohet nga sipërmarrjet e mëdha, por do të jetë në dispozicion vetëm të startup-eve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë për të folur për Paketën e Maleve, por edhe programet e tjera që po iniciohen për të mbështetur sipërmarrjen e vogël dhe të mesme.

Duke u ndalur te programi “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, Rama informoi se programi kombëtar do të lancohet së shpejti dhe në fund të muajit prill do të bëhet edhe marrëveshja mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë.

Kryeministri informoi se bëhet fjalë për një linjë financimi të mbështetur nga qeveria shqiptare.

Kjo linjë financimi sipas tij, do të mbështesë çdo përpjekje të kujtdo që ka një ndërmarrje të vogël ose të mesme dhe ka ambicien që ta rrisë atë.

“E kemi quajtur programin ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde’, por mund të jetë edhe financim me 50% ose edhe trefish, varet nga projekti. Ky program do të mbështetet nga një linjë e drejtpërdrejtë kredie e Bankës së Shqipërisë që do të lëvrohet nga bankat e nivelit të dytë”, shtoi Rama.

Kryeministri informoi se linja e kredisë do të garantohet nga qeveria shqiptare me garanci sovrane dhe do të ketë një interes të kredisë më të ulët se sa kreditë komerciale.

“Do të ketë një limit deri në 2 milionë euro dhe nuk do jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha por do të aksesohet nga startup-et, nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, punishtet dhe nga agroturizmet që duan të rriten”, shtoi Rama.

Rama theksoi se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shtimin e numrit të dhomave të strukturave të agroturizmeve por edhe për zgjerim të kapaciteteve të tyre përunuese jashtë kufijve të vetë.

“Një agroturizëm mund të ketë një vresht diku, një fermë diku, një baxho diku, një punishte receli diku. Jo domosdoshmërisht në territor dhe nëse e ka një të tillë dhe nëse do ta dyfishojë volumin atëherë kjo është plotësisht e mjaftueshme për t’ju qasur programit”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se programi kombëtar vjen në kohën e duhur për ndërmarrjet e vogla e të mesme që prodhojnë. “Këtu flasim për prodhim dhe agropërpunim dhe eksporte”, shtoi Rama.




Comments are closed.