×
Tuesday, April 21, 2026

BE: Drejt zhbllokimit kriza e krijuar nga naftësjellësi “Druzhba”

April 20, 2026


Funksionimi i naftësjellësit të diskutueshëm “Druzhba”, i cili furnizon me naftë ruse Hungarinë dhe Sllovakinë, mund të rifillojë që këtë javë, deklaroi sot në Parlamentin Evropian komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos.

Menjëherë më pas, presidenca qipriote e BE-së njoftoi planet për të finalizuar të mërkurën një vendim mbi një kredi prej 90 miliardë eurosh (105 miliardë dollarë) për Ukrainën, e cila ka mbetur pezull prej muajsh.

Kjo kredi ishte bllokuar më parë nga Hungaria në përpjekje për të detyruar rifillimin e operacioneve të naftësjellësit.

Kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orbán, i cili humbi zgjedhjet parlamentare në fillim të këtij muaji, kishte akuzuar Ukrainën se po pengonte rifillimin e furnizimeve me naftë ruse përmes naftësjellësit “Druzhba” për arsye politike.

Naftësjellësi shtrihet nga Rusia përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës drejt Hungarisë dhe Sllovakisë.

Qeveria në Kiev i hodhi poshtë këto akuza dhe theksoi se tubacioni kishte nevojë për riparime pas sulmeve ajrore ruse në janar.

Orban njoftoi dje se kishte marrë një sinjal nga Ukraina përmes Brukselit se Kievi ishte i gatshëm të rifillonte furnizimet me naftë që sot, nëse Hungaria hiqte bllokadën ndaj kredisë së BE-së.

“Sapo të rikthehen dërgesat e naftës, nuk do të pengojmë më miratimin e kredisë”, shkroi Orbán në rrjetin X.

Fondet e reja synojnë të mbulojnë nevojat më urgjente financiare të Ukrainës dhe t’i mundësojnë vendit të vazhdojë përpjekjet mbrojtëse kundër Rusisë.

Këto fonde do të financohen përmes obligacioneve të përbashkëta të BE-së në tregjet e kapitalit dhe do të garantohen nga fleksibiliteti brenda buxhetit afatgjatë të BE-së.

Gjatë këtij viti pritet të disbursohen 45 miliardë euro, ndërsa 45 miliardë euro të tjera do të jepen vitin e ardhshëm.




Comments are closed.