Kos: Perspektiva evropiane e Shqipërisë e ndërtuar mbi rezultate konkrete
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua sot në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Ministri Hoxha njoftoi se në fokus ishte procesi i avancuar i negociatave të anëtarësimit, me theksin te rëndësia e ruajtjes së momentumit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë në këtë rrugë.
Zgjedhja e Shqipërisë, sipas Hoxhës, është e qartë: rruga e saj drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete.
Ministri i Jashtëm informoi po ashtu se në takim u diskutua gjithashtu zbatimi i agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, i cili, në rastin e Shqipërisë, përplotëson procesin e anëtarësimit në BE dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët.
Hoxha nënvizoi se, “harmonizimi i vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe i një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjithë grupkapitujt e negociatave mbeten prioritetet tona të përditshme”.
Përgjatë takimit, u theksua edhe rëndësia e një komunikimi të qartë mbi përfitimet dhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike dhe nxitjen e transparencës.
Nga ana e saj, Komisionerja Marta Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke rikonfirmuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë.







