BE: Pa reformat e kërkuara Ballkani Perëndimor mund të humbasë 700 milionë euro ndihma
Vendet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësim në BE rrezikojnë të humbasin 700 milionë euro ndihma, nëse nuk zbatojnë reformat e kërkuara si këmbim, paralajmëroi sot komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
Nga ligjet kontroverse të drejtësisë të miratuara nga parlamenti serb te reformat e vonuara në Bosnjë dhe Hercegovinë për shkak të grindjeve të brendshme politike dhe bllokimi politik në Kosovë që ka penguar çdo reformë, pjesa më e madhe e rajonit po mbetet prapa.
“Javën e kaluar, u shkrova autoriteteve duke i nxitur të përshpejtojnë reformat, përndryshe qytetarët e tyre do të vuajnë”, i tha Kos Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
“Më shumë se 700 milionë euro janë në rrezik të humbasin përgjithmonë në të gjithë rajonin”, deklaroi ajo, duke iu referuar fondeve të ndara nga BE në kuadër të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Për të kundërshtuar ndikimin ekonomik të Kinës dhe Rusisë, BE kishte premtuar gjashtë miliardë euro në formën e një plani rritjeje që synonte dyfishimin e kapacitetit ekonomik të rajonit.
Megjithatë, pagesat i nënshtrohen kushteve të rrepta në lidhje me zbatimin e reformave.
Theksi është vënë në përafrimin e partnerëve me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
Plani është gjithashtu i kufizuar në kohë, me një afat të caktuar për fundin e qershorit 2026.
Pesë vende – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – kanë marrë këstin e parë të ndihmës.
Vetëm BH nuk ka marrë ende asnjë fond.
“Nuk bëhet fjalë për krijimin e kritereve shtesë”, deklaroi Kos.
“Por, nëse vendet bëjnë regres në themele të tilla si demokracia dhe sundimi i ligjit, mekanizmat mbrojtës duhet të zbatohen”, theksoi ajo.
Komisionerja shpjegoi se BE ishte “gjithnjë e më e shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi”, duke shtuar se BE po vlerësonte nëse vendi ende i plotësonte kushtet për të përfituar nga plani 1,6 miliardë euro që janë caktuar për Beogradin.
Në shkurt, Kos kishte paralajmëruar se mbështetja e BE-së mund të vihej në pikëpyetje pasi Serbia miratoi ligje të perceptuara si një kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit.
BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësime në lidhje me sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe organizimin e zgjedhjeve, të cilat shpesh janë shoqëruar me dhunë vitet e fundit.







