×
Tuesday, April 21, 2026

Paketa e Maleve, Demo: 36 bashki me 304 zona prioritare, mbi 600 shprehje interesi në Tiranë

April 20, 2026


Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi sot se një ndër kategoritë që mund të aplikojnë për paketën e maleve janë individët që zotërojnë toka të pashpërndara sipas ligjit 7501, por që i kanë përdorur bazuar në kufijtë historikë të pronave familjare.

Gjatë një takimit me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë për të folur për Paketën e Maleve, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Demo tha se përfitues mund të jenë edhe ata qytetarë që gjatë dekadave të fundit i kanë poseduar dhe shfrytëzuar këto toka për bujqësi, duke krijuar tashmë mundësi për zhvillimin e sipërmarrjeve në këto zona.

“Roli i bashkive është thelbësor në këtë nismë, duke nisur që nga faza e aplikimeve, ku ato përcaktojnë zonat prioritare për zhvillim”, u shpreh Demo.

Ministri bëri të ditur se aktualisht 36 bashki kanë miratuar zonat prioritare, me një total prej 304 zonash, ndërsa procesi vijon edhe në bashki të tjera.

Ai sqaroi se pas miratimit të këtyre zonave, hartat do të publikohen online në platformën e-Albania, në një seksion të dedikuar për paketën e maleve.

“Çdo qytetar do të ketë mundësi të verifikojë vizualisht nëse prona e tij përfshihet në një zonë prioritare dhe më pas të aplikojë. Bashkia do të ndjekë procedurat për verifikimin në terren dhe marrëdhënien me komunitetin”, theksoi Demo.

Ai nënvizoi rëndësinë e transparencës për të shmangur konfliktet mes banorëve apo investitorëve potencialë.

Duke iu referuar Tiranës, Demo tha se janë regjistruar mbi 600 shprehje interesi paraprak.

“Nuk bëhet fjalë ende për aplikime zyrtare, pasi do të pritet miratimi përfundimtar i zonave prioritare. Më pas, çdo individ apo sipërmarrës që ka shprehur interes do të ketë mundësi të zhvillojë pronën e tij në kuadër të Paketës së Maleve”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, kjo paketë synon të mbështesë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në territor dhe të nxisë zhvillimin e ekonomisë lokale.

“Tirana ka një diversitet të jashtëzakonshëm përreth zonës urbane dhe një fluks të lartë turistësh. Paketa e Maleve do të kontribuojë në forcimin e ekonomisë lokale, duke shfrytëzuar këtë potencial”, përfundoi Demo.




Comments are closed.