Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zbulimin e një trungu peme rreth 8 metra të gjatë, i cili ishte gjetur brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.
Sipas Ramës, prej më shumë se një dekade, sa herë binte shi, ujërat e zeza përmbytnin bulevardin dhe lagjet përreth, ndërsa ndërhyrjet e kryera ndër vite nuk kishin mundur të zbulonin shkakun e problemit.
Përmes kamerave speciale nëntokësore, brenda kolektorit u identifikua trungu i pemës, i cili kishte bllokuar pjesërisht rrjedhën e ujërave të zeza.
Rama e cilëson rastin si një shembull absurd të problemeve të trashëguara nga administrimi i mëparshëm vendor, duke e lidhur atë edhe me nevojën për Reformën Territoriale.
“Një çinar i madh, 8 metra i gjatë, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u ‘varros’ brenda kolektorit”, shkruan Rama, duke ironizuar mënyrën se si ishte kryer ndërhyrja.
Pas nxjerrjes së pemës, kolektori është pastruar dhe, sipas kryeministrit, banorët e Kasharit nuk do të përballen më me përmbytjet e ujërave të zeza të shkaktuara nga ky bllokim.
Rama e përmbyll reagimin me një mesazh politik, duke theksuar se Shqipëria e re nuk është vetëm procesi i integrimit europian, por edhe “zbulimi, pastrimi dhe korrigjimi” i problemeve të trashëguara.


