Qeveria miraton marrëveshjen për heqjen e vizave për refugjatët, projektligji kalon në Kuvend

05 Nov 2026 • 22:16
Shpërndaje:

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Evropiane për Heqjen e Vizave për Refugjatët, të nënshkruar në Strasburg më 20 prill 1959, duke ia përcjellë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Nisma ligjore, e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme, synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet evropiane në fushën e lëvizjes ndërkombëtare dhe të drejtave të refugjatëve.

Marrëveshja Evropiane për Heqjen e Vizave për Refugjatët (ETS 31) parashikon lehtësimin e udhëtimit pa vizë për refugjatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara në dokument, ndërmjet shteteve që janë palë në marrëveshje.

Reklamë Ola

Sipas vendimit të qeverisë, projektligji është hartuar në mbështetje të neneve 81 dhe 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 17 të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Dokumenti i kalon tashmë Kuvendit për shqyrtim dhe votim, në përputhje me dispozitat kushtetuese që rregullojnë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Reklamë InterMedika

Projektligji përmban dy nene. Neni i parë parashikon ratifikimin e Marrëveshjes Evropiane për Heqjen e Vizave për Refugjatët, së bashku me tekstin shoqërues, ndërsa neni i dytë përcakton hyrjen në fuqi të ligjit 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ratifikimi i marrëveshjes synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me instrumentet evropiane për mbrojtjen e refugjatëve.

Miratimi përfundimtar i projektligjit mbetet në kompetencën e Kuvendit të Shqipërisë.