Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia po përjeton një “revolucion të plotë” në industrinë e mbrojtjes, duke theksuar se Ankaraja synon të zgjerojë më tej kapacitetet e saj ushtarake dhe teknologjike. Deklaratat u bënë gjatë festivalit të aviacionit dhe teknologjisë “TEKNOFEST Juglindje” në Sanliurfa.
“Turqia po vazhdon suksesin në industrinë e mbrojtjes. Ne po kryejmë një revolucion të plotë në këtë fushë”, tha Erdogan, duke shtuar se vendi synon të forcojë pozicionin e tij me platforma të reja dhe teknologji me vlerë të shtuar.
Sipas presidentit turk, Ankaraja është e gatshme të mbështesë edhe vendet mike në fushën e mbrojtjes. “Kur na kërkohet, ne përmbushim edhe nevojat e miqve tanë për mbrojtje. Besojmë se sa më të fortë të jenë miqtë tanë, aq më të fortë do të jemi edhe ne”, deklaroi ai.
Erdogan tha se më shumë se 4,500 kompani dhe mbi 100 mijë persona punojnë në projekte të industrisë së mbrojtjes nën koordinimin e autoriteteve turke, në sektorë që përfshijnë sistemet ajrore, tokësore, detare dhe hapësinore.
Ai deklaroi gjithashtu se Turqia, e cila sipas tij dikur ishte rreth 80% e varur nga burimet e huaja për industrinë e mbrojtjes, është ngjitur tashmë në vendin e 11-të mes eksportuesve botërorë të këtij sektori. Këto shifra janë deklarata të presidentit turk gjatë aktivitetit.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Erdogan, eksportet turke të mbrojtjes dhe hapësirës arritën në 6.3 miliardë dollarë në periudhën janar-gusht, 16.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm në gusht, eksportet arritën në 511.4 milionë dollarë.
“Do të ngjitemi edhe më lart dhe do t’i forcojmë këto arritje me rekorde dhe platforma të reja me konkurrueshmëri të lartë”, tha Erdogan.


