Akti i fundit i asaj lufte hibride që në Palazzo Chigi e cilësojnë si të përditshme është dekreti i qeverisë ruse, i publikuar në fillim të shtatorit, i cili në fakt shpronëson degën lokale të kompanisë italiane Dkc. Në Itali, lajmi kaloi pa shumë vëmendje dhe u raportua vetëm nga disa faqe financiare të dorës së dytë. Por në zyrat e qeverisë italiane, veprimin e Kremlinit e cilësojnë si “një sulm ndaj interesave tona ekonomike kombëtare”, një lloj rasti i dytë Ariston. Kompania italiane, e cila prodhon materiale elektrike, ka 4.200 punonjës në territorin rus, të cilët prej disa ditësh punojnë nën një administrim me komisar, që ua ka kaluar të gjitha kompetencat personave pranë qeverisë së Moskës.
Nuk janë vetëm dronët, Lituania apo incidentet në kufi. Në Palazzo Chigi mbajnë një bilanc të përditshëm dhe javor të veprimeve që i cilësojnë si armiqësore, hakmarrëse apo spiunazhi, dhe jo të gjitha ato që bllokohen bëhen publike. Sipas tyre, pas këtyre veprimeve do të qëndronin entitete fizike ose digjitale që vijnë nga Rusia.
“Arritën të spiunonin madje edhe disa drejtues të kompanive tona me pjesëmarrje shtetërore dhe, për fat, në atë rast ndërhymë në kohë”, tregon një person që ndjek një dosje ku ndërthuren gjeopolitika, shërbimet e inteligjencës dhe zyrat diplomatike.
Por nëse droni me origjinë ruse, i goditur nga një avion luftarak italian në kufirin baltik të Aleancës Atlantike, 13 orë përpara se ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, të mbërrinte për vizitë, është vetëm një nga episodet e shumta që mbahen shënim në Palazzo Chigi, dhe madje jo ndër më të spikaturit, pasi lidhja me interesat italiane dhe përfshirja e avionit italian ishin vetëm rastësi, makthi i vërtetë, skenari ekstrem për të cilin flitet me zë të ulët në Romë dhe që në selinë e NATO-s në Bruksel është objekt analizash të thelluara prej të paktën dy muajsh, është ai i një sfide të hapur nga Putin.
Për ushtarakë, diplomatë dhe jo pak zyrtarë të disa kancelarive, ky është njëkohësisht një alarm, një rebus dhe një lëvizje e mundshme shahu që askush nuk do të donte ta pësonte: një sulm kirurgjikal ndaj interesave dhe objektivave jetike të NATO-s, ndoshta në një prej vendeve më të lehta për t’u goditur. Rumania është në krye të simulimeve që bëhen në Bruksel, ndërsa një sulm mund të vinte si nga Deti i Zi, ashtu edhe përmes rajoneve të Transnistrisë. Synimi do të ishte testimi i aftësive dhe vullnetit real të Aleancës për t’u përgjigjur.
Amerikanët kanë qenë të parët që kanë formuluar këtë skenar, duke qenë se zinxhiri i komandës së NATO-s mbështetet tek inteligjenca dhe sistemet e tyre informatike, por tashmë dosja është ndarë gjerësisht me shumë prej vendeve europiane anëtare të organizatës ushtarake.
Për Kremlinin, kjo do të ishte një mënyrë për të verifikuar nëse neni 5 i Traktatit të NATO-s i qëndron provës së fakteve. Natyrisht, do të ishte jo vetëm një rrezik i madh, por edhe një shkak i mundshëm për një përshkallëzim të vështirë për t’u ndalur. Një sulm i qartë në territorin e NATO-s vështirë se mund të mos shkaktonte një reagim dhe aktivizimin e ndihmës së ndërsjellë të parashikuar nga klauzola e nenit 5.
Në raportet që shpërndahen nga Brukseli dhe që kanë mbërritur edhe në zyrat ku punon Giorgia Meloni, skenari, ndoshta në muajt e parë të vitit 2027, tashmë konsiderohet “i mundshëm”. Nuk është më vetëm një hipotezë, por është objekt i kundërmasave që janë në fuqi që prej fillimit të verës. Sipas shkrimit, kjo është shenjë se lufta hibride në vazhdim ka kaluar tashmë çdo nivel të imagjinueshëm.
Dhe është pikërisht në këtë klimë që Giorgia Meloni mbërrin pasditen e sotme në Norvegji, për një takim dypalësh dhe një darkë me qeverinë vendase, me orientim socialist. Një takim që mund të duket i zakonshëm, por që në dosjet që po përgatiten nga të dyja palët përfshin dy kompanitë kryesore italiane të sektorit ushtarak, Leonardo dhe Fincantieri, për një gamë bashkëpunimesh të mundshme industriale me kompanitë homologe norvegjeze, që cilësohet pothuajse “e pafundme”.
Nuk përjashtohet as një diskutim për naftën dhe gazin, duke pasur parasysh kapacitetet e mëdha prodhuese të industrisë norvegjeze, furnizuesja kryesore e Bashkimit Europian me gaz të lëngshëm. Edhe për këtë arsye raportohet prania e përfaqësuesve të Eni-t në delegacionin italian./CorrieredellaSera


