Balla: PD votoi rezolutën e Dick Marty-t, sot nuk mund të paraqitet si mbrojtëse e UÇK-së

17 Sep 2026 21:05
Shpërndaje:

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha sot gjatë punimeve në Kuvend se përfaqësues të opozitës, në vitin 2011 në mazhorancë mbështetën rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të ngritur mbi raportin e Dick Marty-t.

Balla tha se deklarata e përbashkët e Kuvendit për Kosovën ishte rezultat i një dakordësie mes forcave kryesore politike, por akuzoi drejtuesit e PD-së se po dilnin përtej këtij konsensusi për të drejtuar gishtin ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas Ballës, opozita nuk mund të paraqitet sot si mbrojtëse e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke harruar qëndrimet e saj të mëparshme.

Reklamë Ola

“Ju keni votuar më 25 janar 2011 rezolutën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, deklaroi Balla, duke iu referuar rezolutës së miratuar mbi raportin e Dick Marty-t.

Ai e përdori këtë argument për të akuzuar demokratët se kanë qenë “në anën e gabuar të historisë”, ndërsa kërkoi që debati për Kosovën të mos shndërrohej në një garë mes mazhorancës dhe opozitës se kush është më patriot.

Reklamë InterMedika

“Ju lutem shumë, këto teatrot se ju jeni atdhetarët dhe ne qenkemi tradhtarët, lërini për një kohë tjetër”, tha Balla.

Balla më pas foli për aktgjykimin në Hagë. Sipas tij, megjithëse gjykata deklaroi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së, mënyra se si u përshkruan strukturat dhe drejtuesit e saj krijoi një narrativë që, sipas Ballës, cenon portretin historik të luftës çlirimtare.

Ai tha se UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit shtetëror serb dhe se krimet e kryera nga forcat serbe nuk mund të trajtohen si “sfond dekorativ” i historisë së luftës së Kosovës.

Në përfundim, Balla krahasoi dënimet e dhëna më herët nga drejtësia ndërkombëtare ndaj zyrtarëve të lartë serbë me dënimet e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar vendimin e fundit “turp” dhe “marre”.