BE-së i duhen taksa të reja për të shmangur shkurtimet në buxhetin shtatëvjeçar

17 Sep 2026 22:43
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian duhet të sigurojë burime të reja të ardhurash për të shmangur shkurtimet e mëdha në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar, deklaroi kryeministri irlandez Micheál Martin.

Kreu i qeverisë irlandeze zhvilloi të enjten në Dublin një takim me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, për të diskutuar negociatat mbi Kornizën Financiare Shumëvjeçare të BE-së.

Bisedimet synojnë t’i hapin rrugën arritjes së një marrëveshjeje për buxhetin e ardhshëm të bllokut përpara fundit të vitit.

Reklamë Ola

“Nëse duam të mbrojmë Politikën e Përbashkët Bujqësore dhe fondet e kohezionit, por njëkohësisht të forcojmë konkurrueshmërinë evropiane në të ardhmen, duhet të krijojmë burime të konsiderueshme vetjake”, tha Martin pas takimit.

Me termin “burime vetjake”, BE-ja u referohet të ardhurave që derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e përbashkët, përfshirë taksat dhe tarifat e vendosura në nivel evropian.

Reklamë InterMedika

Qeveritë kundërshtojnë taksat e reja

Martin pranoi se arritja e një marrëveshjeje për taksat e reja do të jetë “shumë e ndërlikuar”, duke nxjerrë në pah përplasjet mes vendeve anëtare për mënyrën e financimit të buxhetit.

Komisioni Evropian propozoi në vitin 2025 vendosjen e pesë taksave të reja, të cilat parashikohej të gjeneronin rreth 60 miliardë euro në vit.

Propozimi hasi kundërshtimin e qeverive kombëtare, të cilat tregohen të rezervuara ndaj masave që mund të rëndojnë financiarisht industritë e tyre.

Pa të ardhura shtesë, BE-ja mund të detyrohet të reduktojë fondet për bujqësinë dhe zhvillimin rajonal ose të kufizojë ambiciet për konkurrueshmërinë, sigurinë dhe fusha të tjera prioritare.

Irlanda përgatit dokumentin e ri negociues

Irlanda mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së dhe po drejton negociatat për buxhetin. Në javët e ardhshme, Dublini pritet të paraqesë një dokument të ri negociues, të njohur si “negobox”, me shifra të rishikuara.

“Kur takohemi me shtetet anëtare, të gjitha kanë ambicie, kërkesa dhe prioritete. Ne nuk mund t’i përmbushim ato nëse nuk sigurojmë burime të mjaftueshme të reja”, deklaroi Martin.

Çështja pritet të jetë në qendër të takimit të ardhshëm të udhëheqësve evropianë, më 15 tetor. Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, synon të sigurojë mbështetje për disa burime të reja të ardhurash që gëzojnë përkrahjen e një numri të konsiderueshëm vendesh të BE-së.