Kryeministri kanadez Mark Carney ka mbrojtur afrimin e vendit të tij me Bashkimin Evropian, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me vendosjen e tarifave të rënda ndaj BE-së, nëse Kanadaja merr statusin e “anëtarit të asociuar” të bllokut.
Duke folur të enjten pas fjalimit të tij në Parlamentin Evropian, Carney e cilësoi forcimin e marrëdhënieve me Brukselin një zhvillim pozitiv dhe bëri të qartë se Otava nuk do të tërhiqet për shkak të presionit nga Uashingtoni.
“Kjo aleancë është një proces pozitiv. Kjo është përgjigjja ime për presidentin amerikan”, deklaroi Carney para gazetarëve.
Kryeministri shtoi se një Kanada më e fortë dhe më e qëndrueshme do të ishte një partner më i efektshëm edhe për Shtetet e Bashkuara.
“Askush nuk do të na diktojë kulturën”
Carney reagoi gjithashtu ndaj raportimeve se Shtëpia e Bardhë kishte tentuar të ndërhynte në çështjen e përdorimit të gjuhës frënge në provincën e Kebekut.
“Kanadezët janë të bashkuar se askush nuk do të na tregojë se çfarë gjuhe duhet të flasim. Askush nuk do të diktojë kulturën tonë apo me kë mund të lidhim marrëveshje”, tha ai.
Deklaratat vijnë një ditë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi që Kanadaja të bëhet vendi i parë me statusin e “anëtarit të asociuar” të BE-së.
Gjatë fjalimit vjetor për Gjendjen e Unionit në Strasburg, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian duhet të rikonceptojë partneritetet ndërkombëtare dhe të ndërtojë lidhje më të forta me demokracitë që ndajnë të njëjtat vlera.
Propozimi befasoi si qeveritë e vendeve anëtare, ashtu edhe zyrtarët kanadezë, pasi BE-ja aktualisht nuk ka një model të përcaktuar juridik për anëtarësimin e asociuar.
Carney: Rëndësi ka përmbajtja, jo emërtimi
Në fjalimin e tij para eurodeputetëve, Carney falënderoi Von der Leyenin për “hapjen e derës” që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së dhe deklaroi se e mirëpret këtë nivel ambicieje.
I pyetur nëse marrëdhënia e re duhet të quhet “Aleancë për të Ardhmen” apo “anëtarësim i asociuar”, kryeministri kanadez minimizoi rëndësinë e emërtimit.
“Presidentja Von der Leyen përdori të dyja termat. Emërtimi është një çështje që i përket Evropës. Ajo që ka rëndësi është përmbajtja dhe ajo që po ndërtojmë realisht së bashku”, tha Carney.
Afrimi mes Kanadasë dhe BE-së po zhvillohet në një periudhë tensionesh të shtuara mes Otavës dhe Uashingtonit. Qeveria kanadeze po kërkon të zvogëlojë varësinë ekonomike nga SHBA-ja dhe të zgjerojë bashkëpunimin me partnerë të tjerë në tregti, siguri, energji dhe teknologji.


