Presidenti bullgar: Nuk ka veto për Maqedoninë e Veriut në BE, sfidat janë të brendshme

16 Jun 2025 22:09
Shpërndaje:

 Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) të mbajtur sot në Tiranë, u ndal në mënyrë të veçantë te marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe rëndësinë strategjike e Korridorit 8 për rajonin.

Në prani të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova, Radev theksoi se pengesat për integrimin europian të vendeve të Ballkanit nuk duhet të keqinterpretohen si çështje bilaterale apo veto nga vendet fqinje.

Ai siguroi se Bullgaria mbështet në mënyrë të përgjegjshme proceset e integrimit europian për të gjitha vendet.

Reklamë Ola

“Zonja presidente, nuk po flasim për veto apo për ndalimin e procesit të një vendi në rrugën drejt BE-së, nuk po flasim për marrëdhënie bilaterale të pazgjidhura. Po flasim për sfida të brendshme që lidhen me shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh Radev.

Ai garantoi se Bullgaria është dhe do të mbetet një nga vendet më të afërta dhe më të përkushtuara për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut, duke mbështetur përpjekjet e saj për të përmbushur kriteret e Kopenhagës dhe për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Europian.

Reklamë InterMedika

“Do të doja t’Ju garantoj se Bullgaria është shteti më i afërt dhe ka dëshirën e zjarrtë për të shtrirë dorën dhe për të qenë ndihmë që shoqëria juaj dhe shteti të trajtojë sfidat në një mënyrë më të shpejtë dhe të zbatojë kriteret e Konpenhagës. Këtu bazohet miqësia, nëse ne synojmë të njëjtin objektiv që vendet e rajonit të bashkohen në BE dhe të bëhen shtete anëtare”, tha ai.

Një tjetër pikë e rëndësishme në deklaratën e Radevit ishte Korridori 8, të cilin e cilësoi si një projekt me rëndësi jetike për bashkëpunimin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.

“Ka një simbolikë të veçantë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ne jemi tre vendet që ndajnë Korridorin 8. Ky nuk është vetëm një korridor infrastrukturor, por një korridor miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi. Duhet të bëjmë gjithçka që ai të përfundojë sa më shpejt”, tha Radev.

Ai ritheksoi angazhimin e Bullgarisë, si kryesuese e radhës e SEECP, për të nxitur bashkëpunimin konkret dhe orientimin drejt rezultateve, duke përfshirë integrimin në BE, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike për të gjithë rajonin.

“Bashkëpunimi i orientuar nga rezultatet është çelësi që rajoni ynë të zhvillohet si vend i sigurisë, stabilitetit dhe i përparimit. Për këtë arsye prioritetet e kryesisë natyrisht që do të synojnë pikërisht këtë, përshpejtimin e integrimit në BE të vendeve brenda rajonit bazuar në merita, një zhvillim i përshpejtuar të ekonomive tona, konkurrueshmërisë dhe sigurisë së energjisë që është shumë e rendësishme”, deklaroi ai.