×
Friday, March 24, 2023

Presidenca çeke: BE mezi pret që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota

July 19, 2022




Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský deklaroi sot se Bashkimi Europian mezi pret që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota, ndërsa siguroi për mbështetje në këtë rrugëtim të Shqipërisë.

Në Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ministri çek, në emër të BE-së, tha se, “ky është një moment historik për ne të gjithë, që shënon një gur kilometrik për evoluimin e marrëdhënies sonë”.

Sipas tij, procesi i zgjerimit është nxitje për vijimin e reformave ekonomike dhe për fuqinë e paqes e stabilitetit në Europë, ndërsa do t’i sjellë popujt më pranë.

“Vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim, në bazë të metodologjisë së zgjerimit të kundërfirmuar nga Këshilli Europian në mars 2020, është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE dhe i mbështetjes pa ekuivok, që është shprehur në axhendën e Selanikut, Sofjes, Zagrebit dhe Budvës dhe e konfirmuar së fundmi nga Këshilli. Vendi juaj është pjesë e historisë europiane, trashëgimisë dhe kulturës së saj dhe ne mezi presim të intensifikojmë më tej marrëdhëniet tona, sakaq të forta. Mirëpresim vendosmërinë e Shqipërisë për reformat europiane dhe zotimin për të kryer reformat e nevojshme në mënyrë rigoroze”, tha ai.

Ai vuri në dukje se Këshilli mbetet i zotuar për të çuar përpara procesin e zgjerimit, në bazë të parimeve të dakordësuara, të cilat integrojnë metodologjitë e zgjerimit, në mënyrë që ky proces të jetë më i parashikueshëm, më dinamik dhe mbështetur mbi kriteret objektive.

“BE i vendos vëmendje zbatimit të konsensusit të zgjerimit që mbështetet në konsolidimin e zotimeve, angazhimeve dhe kushtëzimeve rigoroze për të integruar anëtarët e saj, ku secili vend vlerësohet më vete për arritjet e tij”, deklaroi ministri i jashtëm çek.

Sipas tij, fuqia e marrëdhënies sonë, uniteti dhe solidariteti është demonstruar edhe një herë gjatë pandemisë dhe BE qëndroi pranë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi shkoi më tej, ku çdo anëtar dhe partner tjetër ka ofruar më shumë se 150 milionë euro në asistencë mikrofinanciare. BE pranon dhe njeh mbështetjen e vyer që Ballkani Perëndimor ka dhënë gjatë pandemisë për fqinjët dhe drejt BE-së dhe Shqipëria ka ofruar staf mjekësor për një vend fqinj dhe anëtar të BE-së. Kjo dëshmon marrëdhëniet reciproke mes palëve”, tha ministri i Jashtëm çek.

Më tej, ai u shpreh se agresioni rus i pajustifikuar drejt Ukrainës, ka një ndikim shumë të madh në mbarë kontinentin europian.

“BP pritet të mbështesë vlerat europiane si anëtarë të ardhshëm të BE-së. BE dhe Ballkani Perëndimor sakaq janë bërë bashkë në mbështetje të Ukrainës dhe janë duke luftuar fushatën dezinformuese të Rusisë. Mirëpresim përputhshmërinë e Shqipërisë me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Vendimet dhe deklaratat nxisin Shqipërinë të jetë në pajtueshmëri dhe përputhshmëri me të”, deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm çek bëri të ditur se kuadri negociues që BE paraqet sot, merr parasysh përvojën e zgjerimit në të shkuarën, negociatat aktuale, si dhe acquis në evoluim të BE, sipas meritave dhe karakteristikave të Shqipërisë.

“Negociatat synojnë adoptimin e acquis nga Shqipëria dhe zbatimin e saj të plotë, përfshirë metodologjinë e zgjerimit, që ka fokus më të fortë mbi reformat themeltare për negociatat e anëtarësimit. Shqipëra duhet të pëqafojë reformat për sundimin e ligjit, veçanërisht kanë rëndësi reforma në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e institucioneve demokratike dhe reformën në adminsitratën publike si dhe kriteret ekonomike”, deklaroi ai.

Lipavský tha se Këshilli vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe mbi këto u bënë edhe konkluzionet e Këshillit në mars.

“Konkluzionet e Këshillit të marsit për kuadrin negociues tregonin se Shqipëria ka adresuar në mënyrë të suksesshme 5 prioritetet kryesore. Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të bëjë më tepër progres, sakaq të arritur, të acquis të BE-së, ku mes të tjerash përfshihen edhe parimet mbi të cilat është themeluar dhe ka lindur BE, siç është Traktati i BE-së. Si një vend i ardhshëm anëtar, presim që Shqipëria të jetë në pajtueshmëri me vlerat e nenit 22 të Traktatit të BE-së, që është respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit, përfshirë personat që janë pjesë e pakicave, për më tepër anëtarësimi në BE, ka të bëjë me zbatimin në kohën e duhur të kuadrit ligjor të BE-së“, tha ai.

Sipas tij, Shqipëria duhet të vijojë të angazhohet në bashkëpunimin rajonal dhe të fuqizojë marrëdhëniet me vendet fqinje.

“BE dhe Shqipëria do të vazhdojnë bashkëpunimin mes shoqërisë civile dhe autoriteteve për të sjellë qytetarët më pranë njërit-tjetrit”, tha Lipavský.



Comments are closed.