Policia Metropolitane e Londrës ka njoftuar se do të hetojë pretendimet se partia Reform UK e Nigel Farage mund të ketë shkelur ligjin në lidhje me financimin politik, pas publikimit të një investigimi të fshehtë nga Channel 4 News dhe Verbatim.
Scotland Yard bëri të ditur të mërkurën se hetuesit kanë identifikuar disa “shkelje të mundshme” që kërkojnë hetim, pas materialeve të transmetuara javën e kaluar.
Pretendimet lidhen me pamje të regjistruara fshehurazi, ku persona të lidhur me Reform UK diskutonin mënyrat përmes të cilave partia mund të merrte financime nga një donator i rremë amerikan. Në investigim është diskutuar gjithashtu mundësia që një kompani fiktive të paguante për sondazhe të porositura nga partia.
Edhe Nigel Farage dhe dy prej këshilltarëve të tij më të lartë u shfaqën në materialet e investigimit. Dy këshilltarët, Dan Jukes dhe James Orr, dhanë dorëheqjen pas transmetimit të dokumentarit, në pritje të përfundimit të një hetimi të brendshëm nga Reform UK. Të dy kanë mohuar çdo shkelje.
“Reform UK mohon çdo shkelje dhe do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin. Nuk do të komentojmë më tej ndërsa hetimi është në zhvillim”, deklaroi një zëdhënës i partisë.
Çështja e re do t’i bashkohet një hetimi që ishte tashmë në zhvillim nga Ekipi i Hetimeve të Posaçme i Scotland Yard. Ky hetim lidhet me donacione me vlerë 500 mijë paund të dhëna për Reform UK nga nëna e George Cottrell, një aleat i afërt i Farage dhe person i dënuar më parë për mashtrim.
Policia po heton nëse ka pasur një përpjekje për të fshehur origjinën e një donacioni që mund të vinte nga një person i cili nuk kishte të drejtë ligjore të financonte partinë. Në kuadër të kësaj pjese të hetimit, dy persona janë marrë tashmë në pyetje nën paralajmërim ligjor.
“Pas një transmetimi të Channel 4 News të enjten, më 3 shtator, Policia Metropolitane mori një numër raportimesh në lidhje me donacionet dhe sondazhet që përfshinin një parti politike”, thuhet në deklaratën e policisë.
Sipas autoriteteve, informacionet e paraqitura janë vlerësuar nga hetuesit, të cilët kanë arritur në përfundimin se ekzistojnë shkelje të mundshme që kërkojnë hetim të mëtejshëm.
“Shkeljet e mundshme janë të ngjashme për nga natyra me çështjet që tashmë po hetohen nga Ekipi i Hetimeve të Posaçme të Policisë Metropolitane në lidhje me donacionet e bëra për të njëjtën parti. Si rezultat, këto çështje do të bëhen pjesë e hetimit në vazhdim”, njoftoi Scotland Yard.
Policia pritet të kërkojë edhe pamjet përkatëse të përdorura në investigimin televiziv. Verbatim ka deklaruar se do të bashkëpunojë me autoritetet gjatë hetimit.
Farage u filmua gjatë investigimit duke drekuar me një aktor që paraqitej si donator amerikan. Gjatë bisedës u diskutua mundësia e kanalizimit të parave të huaja drejt Reform UK.
Pas publikimit të pamjeve, Farage deklaroi në një intervistë për BBC se “sinqerisht nuk po dëgjonte” bisedën në fjalë.
Nisja e hetimit policor shton presionin mbi Reform UK dhe drejtuesin e saj, ndërsa autoritetet britanike do të shqyrtojnë nëse diskutimet dhe financimet e përfshira në dy çështjet përbëjnë shkelje të legjislacionit për donacionet politike.


