Samiti i liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel është shoqëruar me debate të forta për politikat energjetike dhe klimatike, pasi disa shtete kërkuan shtyrjen e një mekanizmi që do të vendosë çmim për emetimet e karbonit nga transporti rrugor dhe ngrohja e ndërtesave. Diskutimet zgjatën rreth tre orë, duke nxjerrë në pah përçarjet mes vendeve anëtare për mënyrën e uljes së kostove të energjisë.
Sipas POLITICO, takimi i së enjtes ishte parashikuar të përqendrohej te masat për frenimin e çmimeve të larta të energjisë në Europë. Megjithatë, debati u zhvendos te sistemi ETS2, pjesë e politikave të Bashkimit Europian për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.
Italia, Polonia, Çekia dhe Hungaria kërkuan që hyrja në fuqi e ETS2, e parashikuar për vitin 2028, të shtyhet me dy vite të tjera, deri të paktën në vitin 2030.
Estonia shkoi edhe më tej, duke sugjeruar mundësinë e anulimit të plotë të këtij mekanizmi.
Propozimi u kundërshtua nga shumica e vendeve anëtare. Diplomată europianë e cilësuan kërkesën për shtyrje si të papranueshme, ndërsa disa prej tyre theksuan se data e zbatimit nuk duhet të ndryshojë.
Çfarë është ETS2 dhe pse kundërshtohet?
ETS2 është një sistem i ri europian për tregtimin e emetimeve, i cili do të vendosë një kosto për karbonin që lidhet me përdorimin e karburanteve në transportin rrugor dhe ngrohjen e ndërtesave.
Qëllimi është të nxitet përdorimi i energjisë më të pastër dhe të reduktohen emetimet që kontribuojnë në ngrohjen globale.
Megjithatë, qeveritë kundërshtare argumentojnë se mekanizmi mund të rrisë kostot për familjet dhe bizneset, në një periudhë kur çmimet e energjisë janë tashmë të larta.
Përplasjet nuk kufizohen vetëm te ETS2. Italia dhe Polonia po kërkojnë gjithashtu ndryshime në sistemin ekzistues ETS, i cili vendos çmim për emetimet e karbonit nga fabrikat dhe termocentralet.
Që nga përshkallëzimi i luftës në Iran, në mars, këto dy vende kanë udhëhequr një grup shtetesh që kërkojnë lehtësimin e rregullave europiane për emetimet.
Sipas POLITICO, grupi që fillimisht përbëhej nga 10 vende është zgjeruar në 16, duke treguar rritjen e shqetësimeve për ndikimin ekonomik të politikave klimatike.
Megjithatë, brenda samitit, kërkesa për shtyrjen e ETS2 nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme.
Vendet nordike dhe Holanda u pozicionuan kundër ndryshimeve, qëndrim i mbështetur edhe nga Franca dhe Gjermania.
Presioni politik mbi Macron dhe Merz
Debati për politikat klimatike po zhvillohet edhe në një kontekst të ndërlikuar politik për dy ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz përballen me presionin e partive të ekstremit të djathtë, të cilat kundërshtojnë mekanizmat europianë të çmimit të karbonit.
Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka forcuar pozitat e saj politike, ndërsa në Francë, Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen ka shprehur kundërshtime ndaj politikave klimatike që mund të rëndojnë kostot për qytetarët.
Eurodeputeti Jordan Bardella, një prej figurave kryesore të Tubimit Kombëtar, ka kritikuar publikisht sistemin ETS, duke ngritur pyetjen se kush do të paguajë kostot e tij.
Përplasjet në Bruksel tregojnë vështirësinë e BE-së për të balancuar objektivat e saj klimatike me kërkesat për energji më të përballueshme, ndërsa presioni ekonomik dhe politik ndaj qeverive europiane vazhdon të rritet.


