Përplasja për dekretin e Thaçit, Komisioni i Venecias i përgjigjet Kurtit



Komisioni i Venecias i është përgjigjur Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me kërkesën për opinion në raport me kompetencat e Presidentit mbi formimin e qeverisë së re.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se meqë Gjykata Kushtetuese po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Zyra e kryeministrit të Kosovës thotë se e mirëpresin sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më tej, sipas njoftimit, thuhet se pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarren hapat e nevojshëm. Kjo kërkesë u dërgua në Komisionin e Venecias pas publikimit të dekretit të presidentit dhe para vendimit për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese do të shprehet mbi aktin e Thaçit më 29 maj, partitë politike në Kosovë, kanë vijuar takimet e tyre për bashkërendimin e programit qeverisës.
Eunews.al
