Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, ka mohuar se ka bërë thirrje për spastrim etnik, duke deklaruar se ndaj saj po zhvillohet një “fushatë politike”.
Gjatë debatit në Kuvendin e Serbisë, Paunoviç tha se nuk ka mbështetur asnjëherë spastrimet etnike dhe se ka dënuar vazhdimisht të gjitha krimet.
“Dua t’u them qytetarëve të Serbisë se qeveria, pjesë e së cilës jam si ministre, nuk mban dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për atë që ishte historia ime personale në një emision televiziv”, u shpreh ajo, duke shtuar se profesori Gjuro Maçut nuk duhet të sulmohet për këtë çështje.
Ministrja tha se akuzat ndaj saj po përdoren për përfitime politike dhe se qytetarët do të japin verdiktin e tyre me votë.
Reagimet shpërthyen pas një interviste për “Kurir”, ku Paunoviç deklaroi se “po të ishte në vend të Slobodan Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaratë që u kritikua ashpër nga opozita dhe opinioni publik.
Në të njëjtën seancë, ministri i Brendshëm dhe kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se është normale që opozita të kërkojë rrëzimin e qeverisë, por theksoi se kabineti aktual gëzon mbështetjen e shumicës parlamentare.
“Është normale që opozita të kërkojë shkarkimin e qeverisë. Por qeveritë bien vetëm kur janë të prira të bien”, deklaroi Daçiç.


