Parlamenti Evropian fton Kosovën e Serbinë t’i kthehen dialogut
Me 50 vota për, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.
Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.
Para se të votohej për raportin si tërësi, ishte votuar për amendamentet e veçanta të prezantuara nga deputetët e Parlamentit Evropian.
Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.
“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”, ka thënë Von Cramon teksa ka komentuar votimin për raportin për Kosovën.
Ajo ka thënë se edhe BE-ja ka “detyra të shtëpisë” për të bërë.
“Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.
Eunews.al