Bashkimi Europian ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës, duke theksuar se vlerësimi për kushtetutshmërinë e vendimeve u takon institucioneve gjyqësore të vendit.
“Jemi në dijeni të votimeve të së dielës, si dhe të vendimeve për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjithashtu, jemi në dijeni të kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese. I takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për të”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Europian për Radion Evropa e Lirë.
Brukseli nënvizoi se Kosovës i nevojiten institucione plotësisht të konsoliduara për të vijuar reformat dhe për të përparuar në procesin e integrimit europian, përfshirë zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar më 13 shtator, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga Lidhja Demokratike e Kosovës, komuniteti serb dhe komunitetet e tjera joshumicë. Megjithatë, nuk u zgjodh nënkryetari që i takon Partisë Demokratike të Kosovës, forcës së dytë politike në vend.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të përfunduar procesin edhe pa këtë emërim.
Pak orë më vonë u zhvillua një seancë e jashtëzakonshme, në të cilën u votua Qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti. Seanca u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
PDK-ja kishte tërhequr më herët kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares, pasi ajo nuk mori mbështetjen e LVV-së gjatë votimit të 11 shtatorit. Vetëvendosje deklaroi më pas se ishte e gatshme ta votonte, por PDK-ja nuk u rikthye në seancë.
Më 9 shtator, Albulena Haxhiu ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit, ndërsa dy ditë më vonë ishte zgjedhur edhe nënkryetari i propozuar nga Vetëvendosje.
PDK kërkon masë të përkohshme
Pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e procedurave të ndjekura dhe vendosjen e një mase të përkohshme ndaj institucioneve të reja.
Kërkesa u dorëzua nga deputetët Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu.
“Është e rëndësishme që fillimisht të vendoset një masë e përkohshme, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme apo situata më të rënda në kuptimin juridik dhe institucional”, deklaroi Tahiri.
PDK-ja pretendon se gjatë procesit është shkelur afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, si dhe detyrimi për zhvillimin e seancave çdo 48 orë deri në përfundimin e tij.
Sipas një aktgjykimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Afati përfundoi më 7 gusht 2026.
Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë fillimisht për kërkesën e masës së përkohshme dhe më pas të japë vlerësimin për ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe të formimit të Qeverisë.


