Europa fuqizon shërbimet sekrete përballë Rusisë dhe Kinës, rriten shqetësimet për privatësinë

14 Sep 2026 21:37
Shpërndaje:

Për dekada, veprimtaria e shërbimeve europiane të inteligjencës u kufizua nga trashëgimia e regjimeve autoritare, traumat e Luftës së Dytë Botërore dhe përkushtimi ndaj mbrojtjes së lirive civile. Por shtimi i sabotimeve hibride ruse dhe spiunazhit kinez po i detyron qeveritë të rishikojnë kufijtë e vendosur pas luftës.

Gjermania, Suedia, Holanda dhe Austria janë mes vendeve që po zgjerojnë kompetencat e agjencive të tyre. Reformat synojnë t’u japin shërbimeve mundësi më të mëdha për të penguar operacionet armiqësore, për të kryer kundërsulme kibernetike dhe për të ndarë informacione me kompanitë private.

Ndryshimet janë përshpejtuar gjatë 18 muajve të fundit edhe nga shqetësimet se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë më një partner po aq i besueshëm për shkëmbimin e inteligjencës gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.

Reklamë Ola

Megjithëse çdo shtet përballet me struktura, histori dhe rrethana gjeografike të ndryshme, prirja është e përbashkët: më shumë kompetenca për agjencitë e sigurisë, edhe nëse kjo mund të sjellë kufizime të privatësisë.

“Shërbimet e inteligjencës duhet t’u ofrojnë qeverive një tablo të qartë të asaj që po ndodh dhe më pas të përpiqen të japin një shpjegim”, deklaroi David Omand, ish-drejtues i agjencisë britanike të inteligjencës elektronike GCHQ.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, agjencitë duhet të përcaktojnë nëse një incident përbën veprimtari kriminale të mbështetur nga Rusia apo ka një origjinë tjetër. Për këtë kërkohet ndërthurja e inteligjencës teknike, digjitale dhe njerëzore.

Suedia krijon shërbimin e ri të inteligjencës së jashtme

Suedia po plotëson strukturën e një Shërbimi të ri të Inteligjencës së Jashtme, i cili pritet të nisë veprimtarinë në janar.

Qeveria suedeze emëroi Andreas von Beckerath në postin e drejtorit të përgjithshëm dhe Annika Brändström si zëvendësen e tij. Të dy do t’i marrin zyrtarisht detyrat kur agjencia të fillojë operacionet.

Stockholmi argumenton se ndarja e inteligjencës civile të jashtme nga ajo ushtarake do të qartësojë përgjegjësitë dhe do ta përmirësojë aftësinë e vendit për të analizuar kërcënimet e sigurisë.

Reforma është pjesë e ndryshimeve të ndërmarra pas anëtarësimit të Suedisë në NATO, vendim i nxitur kryesisht nga kërcënimi rus pas pushtimit të plotë të Ukrainës.

Agjencia suedeze e inteligjencës së sinjaleve, FRA, mund të përgjojë komunikimet ndërkufitare vetëm brenda një kuadri të rreptë ligjor. Megjithatë, që nga hyrja në NATO, vendi po lëviz me shpejtësi për të forcuar kapacitetet e tij të inteligjencës.

Holanda zgjeron kompetencat kundër hakerëve dhe spiunëve

Qeveria holandeze ka hapur konsultimet për një ligj të ri të sigurisë kombëtare, i cili do të zgjeronte kompetencat e Shërbimit të Përgjithshëm të Inteligjencës dhe Sigurisë dhe të Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Ndryshimet do t’u mundësonin agjencive të pengonin veprimtarinë e hakerëve rusë, spiunëve kinezë dhe operativëve iranianë pa marrë paraprakisht autorizim.

Ligji do të lejonte gjithashtu ndarjen e një sasie më të madhe informacioni me ushtrinë dhe kompanitë private, veçanërisht ato që administrojnë infrastrukturë kritike.

Austria synon të mbyllë boshllëkun ligjor

Austria, e cilësuar shpesh si një nga kryeqendrat e spiunazhit ndërkombëtar, po përgatit ndryshime të rëndësishme ligjore.

Sipas legjislacionit aktual, agjentët e huaj mund të veprojnë pa u ndëshkuar për sa kohë nuk kapen duke spiunuar drejtpërdrejt Austrinë.

Qeveria po punon për mbylljen e këtij boshllëku, çka mund ta vështirësojë veprimtarinë e rreth 7 mijë agjentëve të huaj që besohet se operojnë në Vjenë.

Gjermania përgatit ndryshimin më të thellë

Rishikimi më i madh po ndodh në Gjermani, ku shërbimet sekrete janë mbajtur historikisht nën kufizime të forta për shkak të abuzimeve të regjimit nazist dhe policisë sekrete Stasi në Gjermaninë Lindore.

Qeveria e kancelarit Friedrich Merz kërkon t’u japë agjencive më shumë liri veprimi për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve të jashtme.

Sipas reformave që pritet të hyjnë në fuqi në janar, punonjësit e shërbimit të inteligjencës së jashtme, BND, mund të autorizohen të kryejnë operacione sulmuese dhe akte sabotimi.

Deri tani, BND-ja ka qenë e përqendruar kryesisht në mbledhjen e informacioneve. Kufizimet u vendosën pas luftës për të parandaluar përsëritjen e abuzimeve të aparatit nazist të sigurisë.

Sipas Omand, kjo e ka bërë Gjermaninë “jashtëzakonisht joefektive” në hapësirën digjitale gjatë 15 viteve të fundit, pasi agjencive u kanë munguar kompetencat ligjore për të pasur qasje në kategori të caktuara të komunikimeve.

Në mars, autoriteti gjerman për mbrojtjen e të dhënave paralajmëroi se nuk mund t’i mbronte siç duhet qytetarët nga mbikëqyrja e shërbimeve të inteligjencës, pasi një gjykatë rrëzoi kërkesën e tij për informacion mbi veprimtarinë e përgjimit.

“Gjermania është rasti klasik. Ajo duhet ta rishikojë qasjen tradicionale dhe të gjejë ekuilibrin mes privatësisë dhe sigurisë kombëtare”, tha Omand.

Dyshimet ndaj administratës Trump

Përpjekjet për bashkëpunim më të thellë mes shërbimeve europiane u përshpejtuan pasi administrata Trump pezulloi përkohësisht në mars 2025 ndarjen e informacioneve ushtarake dhe të fushëbetejës me Ukrainën.

Emërimi i personave besnikë ndaj presidentit, por me përvojë të kufizuar në inteligjencë, në drejtimin e disa agjencive amerikane ka shtuar gjithashtu shqetësimet në Europë.

Zyrtarët europianë druhen se Uashingtoni mund të tregohet më pak i gatshëm të ndajë informacione që bien ndesh me qëndrimet politike të administratës amerikane.

Ndërkohë, mënyra e veprimit të shërbimeve ruse po ndryshon. Sipas ekspertëve, Moska po përdor gjithnjë e më shumë persona të profilit të ulët për realizimin e sabotimeve, duke e bërë më të vështirë identifikimin e lidhjeve me shtetin rus.

“Opinioni publik po bindet gjithnjë e më shumë se duhet të jemi aktivë dhe jo vetëm të reagojmë pasi ndodhin incidentet”, deklaroi Ferdinand Gehringer, analist i kërcënimeve hibride në FTI Consulting.

Sipas tij, qeveritë europiane duhet të përcaktojnë vijat e kuqe dhe mënyrën e reagimit kur ato shkelen.

Sfida kryesore do të jetë sigurimi i kompetencave të nevojshme për përballimin e kërcënimeve moderne, pa lejuar që shërbimet sekrete të dalin jashtë kontrollit demokratik dhe të cenojnë në mënyrë të pakufizuar privatësinë e qytetarëve.