Komisioni i Jashtëm: Dështimi dëmton politikën e BE
Me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime, Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian ka votuar draft-raportin e raporteres Izabele Santos për Shqipërinë, ku i kërkohet Këshillit Europian të japë dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Ai u kërkon shteteve anëtare të demonstrojnë unitetin evropian duke nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të dyja vendet i kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian.
Kryetari i komisionit të Politikës së Jashtme, David Mekalister tha se u rrëzuan pjesa më e madhe e amendamenteve, duke përfshirë edhe propozimin e hedhur nga eurodeputeti bullgar Andrej Kovatçev, për ndarjen e dy vendeve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë proces.
Raportuesja e PE-së, Izabel Santos tha se: “Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar. Është e drejtë që Këshilli më në fund të bie dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vonuara me Shqipërinë”.
Komisioni i Politikës së Jashtme gjithashtu me raportin e miratuar i bën thirrje BE-së të “vlerësojë në mënyrë kritike implikimet historike të sigurisë për stabilitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës”.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas raportit ky dështim minon pritshmëritë e publikut ndaj BE-së dhe përbën një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi.
Eunews.al


