×
Friday, March 29, 2024

Pandemia dhe shtimi i rasteve të dhunës e trafikimit

June 7, 2021


Periudha e gjatë e pandemisë, e shoqëruar me masat kufizuese për mospërhapjen e virusit, sipas shoqatave joqeveritare që veprojnë në Shqipëri, ka ndikuar në shtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit. Përfaqesues të shoqatave shprehen për nevojën e pjesëmarrjes më të madhe të të rinjve për parandalimin e fenomenit si dhe një buxhetim më të madh nga ana e bashkive në mbështetje të fuqizimit ekonomik të grave.

20 të rinj, nxënës të shkollës artistike, ekspozuan përpara ndërtesës së bashkisë së Shkodrës pikturat e tyre me temë dhuna në familje dhe trafkimi, një përpjekje kjo për të ndërgjegjësuar bashkëmoshatarët mbi përmasat e këtij fenomeni, i cili prej vitesh ka prekur shoqërinë shqiptare.

Nisma e nxënësve të shkollës artistike në Shkodër është mbështetur nga “Tirana Art”, një nga shoqatat e shumta, që vitet e fundit punojnë në fushën e parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës në familje.

Drejtuesja e shoqatës, Jona Dividi, thotë se është e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen në nismat kundër dhunës dhe trafkimit.

Të rinjtë, përditë e më shumë, i shikojmë që nuk janë të angazhuar dhe nuk kanë dëshirë të angazhohen në tematika të tilla kaq sociale. Për më tepër për fenomene të tilla që kanë prekur shoqërinë shqiptare pas viteve 90’. Prandaj kemi inicuar këtë nisëm që të rinjtë të ndërgjegjësohen përsa i përket fenomenit. Është shumë e rëndësishme që të marrin informacion se ku duhet të drejtohen për raste të tilla”, thotë ajo.

Periudha e gjatë e pandemisë e ka rënduar më tej situatën e gruas në Shqipëri kjo, jo vetëm për shkak të vështirësive ekonomike dhe të punësimit, por edhe shtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit.

Sipas rrjetit të fuqizimit të gruas në Shqipëri, gjatë pandemisë është trefishuar numri i thirrjeve për ndihmë nga viktimat e dhunës .

Fatkeqësisht ka patur një rritje të rasteve të dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, dhe rritje të trafikimit për shkak të mbydhjes dhe mosinformimit mbi mundësitë për të denoncuar dhe për ta përballuar këtë si fenomen, i cili është një fenomen shumë shqetësues, që ka marrë përmasa serioze”, thotë Edlira Cepani.

Sipas rrjetit të grave, administratat vendore, në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, mund të bëjnë më shumë për të rritur mbështejen ndaj grave dhe vajzave, si në drejtim të mbrojtjes së tyre nga dhuna dhe trafikimi, ashtu edhe fuqizimit ekonomik të tyre.

Nga një sondazhë, që ne si organizatë kemi bërë në 12 qarqet e Shqipërisë, tregohet se shifrat janë rritur. Po ashtu, është tentuar të rriten edhe shërbimet që ofrohen nga bashkitë, sepse është pushteti vendor ai që duhet të ofrojë shërbime mbështetëse dhe të informimit për gratë dhe vajzat e dhunuara dhe trafikuara. Por, prap mendojmë se lë për të dëshiruar dhe ka vend për përmirësime sidomos nëpërmjet buxhetimit gjinor, të cilin ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm”.

Rastet më të shumta të dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit gjatë periudhës së pandemisë, të evidentuara nga policia dhe shoqatat joqeveritare, janë kryesisht në zonat urbane të vendit, ndërsa në zonat rurale ka pak të dhëna mbi përhapjen e këtij fenomeni, kjo për shkak të mungesës së denoncimeve nga ana e viktimave, si pasojë e mentalitetit që vazhdon të ekzistojë në këto zonat.

Eunews.al



Comments are closed.