“Një Shqipëri në Bashkimin Europian” ishte mesazhi që ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, përcolli nga Shkodra gjatë një aktiviteti artistik të zhvilluar në kuadër të “Javës së Europës 2026”.
Nga Stacioni i Trenit në Shkodër, Gonzato u ndal te fenomeni i emigrimit dhe rikthimit të shqiptarëve, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre për të ardhmen e vendit.
“Ideja e Javës së Europës në vitin 2026 është ideja për të pasur një hapësirë vërtet të hapur për të gjithë… Stacionet si ky stacion treni janë gjithmonë hapësira të cilat mbajnë kujtime të forta në kujtesën tonë… Këto janë histori largimi, ashtu siç ka edhe shumë, qindra e mijëra shqiptarë të cilët janë larguar nga Shqipëria… por ka edhe shumë prej tyre që janë kthyer dhe që jam i sigurt se do të vazhdojnë të kthehen, sepse vetëm kështu mund të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë, e cila në fund të fundit do të jetë një Shqipëri në Bashkimin Europian, dhe ky është edhe misioni i punës sime.”
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Terminal: Vini re, vini re!”, një eksperiencë artistike e sjellë nga këngëtarja Eda Zari dhe “Kult 360 Collective”.
Ambasadori Gonzato vlerësoi edhe mesazhin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit:
“Ju faleminderit për këtë projekt të mrekullueshëm… Ju keni bërë një përmbledhje tepër të saktë të asaj që ne dëshironim të mishëronte Java e Europës 2026, pra faktin që ne të kuptojmë edhe këndvështrimin e tjetrit, sepse në fund të fundit kjo është ideja: të hyjmë në mendjen e tjetrit… por edhe të gjejmë të përbashkëtën, sepse vetëm kështu mund të ecim përpara.”
Në aktivitet mori pjesë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ndërsa për tre ditë me radhë Stacioni i Trenit në Shkodër u kthye në një hapësirë kulturore me instalacione artistike dhe performanca live.


