Nis transformimi i tre blloqeve të banimit në Rrogozhinë, Balla: Së shpejti investime të reja në disa lagje të qytetit

11 Aug 2026 11:53
Shpërndaje:

Nis një tjetër investim i rëndësishëm për transformimin urban të Rrogozhinës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe Drejtues Politik për Qarkun e Tiraranës inspektoi nisjen e punimeve në blloqet “12 Shtatori”, “Qendër” dhe “2 Çezmat”, një ndërhyrje që synon përmirësimin e plotë të infrastrukturës së këtyre zonave.

Investimi i Bashkisë Rrogozhinë përfshin rikonstruksionin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve, si dhe vendosjen e ndriçimit të ri publik.

Gjatë inspektimit, Balla u shpreh se zhvillimi urban i Rrogozhinës do të vijojë edhe me projekte të tjera, përfshirë ndërhyrjet e parashikuara në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Reklamë Ola

Sipas tij, në fokus do të jetë përmbyllja e ndërhyrjeve në lagjen mbi Stacionin e Trenit, si dhe në zonën e Rrogozhinës fshat.

Një projekt me rëndësi strategjike për qytetin është edhe hekurudha dhe Stacioni i ri i Trenit, i cili do të ndërtohet sipas standardeve europiane. Ky investim pritet të rrisë lidhjen e Rrogozhinës me pjesën tjetër të vendit dhe të forcojë rolin e qytetit si një nyje e rëndësishme e transportit.

Reklamë InterMedika

Me ndërhyrjet në infrastrukturën urbane dhe projektet e reja të transportit, Rrogozhina synon një zhvillim më të qëndrueshëm dhe një standard më të lartë shërbimesh për qytetarët.