×
Wednesday, July 8, 2026

Nëntë vende të Europës kërkojnë shtyrjen e lehtësimeve për sistemin e ri të hyrje-daljeve në kufijtë e Shengenit

July 8, 2026


Nëntë vende europiane i kanë kërkuar Komisionit Europian të zgjasë fleksibilitetin e përkohshëm për zbatimin e Sistemit të Hyrje-Daljeve (Entry/Exit System – EES), duke argumentuar se infrastruktura kufitare ende nuk është gati për zbatimin e plotë të tij.

Në një letër të përbashkët të datës 7 korrik, siguruar nga POLITICO, Belgjika, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Malta, Holanda, Portugalia dhe Zvicra i kërkojnë Komisionerit për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, që mekanizmi i emergjencës të mbetet në fuqi edhe pas 6 shtatorit 2026, datë kur aktualisht parashikohet të përfundojë.

Sipas ministrave, muajt e parë të funksionimit të sistemit kanë nxjerrë në pah “vështirësi të konsiderueshme”, të cilat nuk mund të nënvlerësohen.

Mekanizmi i emergjencës u lejon autoriteteve kufitare që, në raste të jashtëzakonshme, të pezullojnë përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike, si gjurmët e gishtërinjve dhe skanimi i fytyrës, për të shmangur radhët e gjata në kufi, ndërsa regjistrimi i hyrjeve dhe daljeve në zonën Shengen vijon normalisht.

Në letër, vendet kërkojnë gjithashtu garanci me shkrim nga Komisioni Europian përpara skadimit të këtij fleksibiliteti.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Komisionit Europian, Markus Lammert, deklaroi se Brukseli e mirëpret angazhimin e vendeve për zbatimin e plotë të sistemit EES dhe regjistrimin sistematik të të gjithë udhëtarëve nga vendet jashtë Bashkimit Europian.

Ai kujtoi se legjislacioni aktual parashikon fleksibilitete të caktuara, përfshirë pezullimin e përkohshëm të mbledhjes së të dhënave biometrike gjatë periudhave me fluks të lartë, si sezoni veror, dhe shtoi se Komisioni po bashkëpunon ngushtë me vendet që po hasin vështirësi në pika të caktuara kufitare.

“Ekziston një vullnet i fortë i përbashkët për ta bërë sistemin funksional kudo”, tha Lammert.

Kërkesa vjen në një kohë kur aeroportet, kompanitë ajrore dhe operatorët e trageteve kanë paralajmëruar se sistemi i ri po shkakton radhë të gjata dhe probleme operacionale gjatë sezonit turistik. Sipas tyre, vështirësitë teknike dhe organizative nuk pritet të zgjidhen deri në fillim të shtatorit.

Deri më tani, Komisioni Europian nuk ka sinjalizuar se planifikon të zgjasë fleksibilitetin përtej 6 shtatorit 2026.




Comments are closed.