×
Wednesday, July 8, 2026

BE: Protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore, SPAK të hetojë pa ndërhyrje çështjen e Zvërnecit

July 8, 2026


Komisioni Europian ka bërë thirrje që protestat në Shqipëri të zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa ka kërkuar që hetimi i SPAK për çështjen e pronave në Zvërnec të vijojë pa pengesa, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit në procesin e integrimit europian.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE në Strasburg, Clive Rumbold, nga Divizioni për Zgjerimin në Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, por u ndal edhe te protesta që ka hyrë në muajin e dytë.

“Ne inkurajojmë të gjithë të përfshirët të jenë të qetë dhe të sigurojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe në kushte të sigurta. Qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe për t’u shprehur, dhe kjo duhet të ndodhë në përputhje me ligjin. Kjo është e rëndësishme për ruajtjen e standardeve demokratike dhe për vijimin e rrugës europiane të Shqipërisë. Ne po i ndjekim nga afër këto zhvillime dhe delegacioni ynë ka qenë aktiv në terren që prej nisjes së protestës”, u shpreh Rumbold.

Ai foli edhe për hetimin e SPAK lidhur me pronat në Zvërnec, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga shtyllat kryesore të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

“Jemi në dijeni se SPAK ka një hetim aktiv për çështjen e pronave në Zvërnec. Lufta kundër korrupsionit është në zemër të procesit të zgjerimit të BE-së dhe puna e deritanishme duhet të vazhdojë. Shpresojmë që të realizohet një studim i plotë i ndikimit në mjedis sipas standardeve më të larta dhe që Shqipëria të mbajë angazhimin për rishikimin e ligjit për investimet strategjike deri në fund të këtij viti. Dialogu mes të gjithë aktorëve mbetet rruga që duhet ndjekur”, deklaroi ai.




Comments are closed.