×
Wednesday, July 8, 2026

KQZ certifikon rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, hapet rruga për formimin e institucioneve

July 8, 2026


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, duke i hapur rrugë procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, bëri të ditur ndarjen përfundimtare të mandateve. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18, Lista Serbe 9 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 7 mandate, ndërsa vendet e mbetura u takojnë përfaqësuesve të komuniteteve joserbe.

Pas certifikimit të rezultateve, ushtruesja e detyrës së presidentes ka afat deri më 7 gusht për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit.

Megjithëse nuk priten pengesa për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

Njohës të Kushtetutës kanë argumentuar se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të jetë prioritet, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur se fillimisht synon të formojë ekzekutivin e ri.

Aktualisht nuk ka një marrëveshje politike mes partive për sigurimin e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të katërtat brenda 24 muajve, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, 28 dhjetorit 2025 dhe 7 qershorit të këtij viti.




Comments are closed.