Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa Teherani kërkon njohjen e asaj që e quan “rendi i ri iranian” në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës. Në të njëjtën kohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka anuluar vizitën e planifikuar në Izrael.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, akuzoi SHBA-në se ka shkelur armëpushimin në disa drejtime, përfshirë, sipas tij, mosrespektimin e “rregullave të reja iraniane” për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se komuniteti ndërkombëtar “nuk ka alternativë tjetër” përveç njohjes së “rendit të ri iranian” në këtë korridor strategjik.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas memorandumit të mirëkuptimit të 17 qershorit, Irani ishte angazhuar të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare për një periudhë 60-ditore, pa vendosur tarifa shtesë.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë kërkuar që çdo anije të koordinojë kalimin me Teheranin dhe kanë paralajmëruar se përdorimi i korridoreve detare të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), pa miratimin e Iranit, është “i papranueshëm dhe plotësisht i rrezikshëm”.
Në të njëjtën kohë, BBC raportoi se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka anuluar vizitën që pritej të zhvillonte në Izrael. Hegseth ndodhej në Turqi për samitin e NATO-s së bashku me presidentin Donald Trump, ndërsa vizita në Izrael nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.
Sipas mediave ndërkombëtare, gjatë takimit pritej të diskutohej shqetësimi i Izraelit për mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte deklaruar më herët se një marrëveshje e tillë do të ishte një gabim.
Deri më tani, as Uashingtoni dhe as Tel Avivi nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për anulimin e vizitës.