Nënshkruhet marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e qeverisë në Kosovë



Pas shumë kundërshtive, oferta dhe refuzime, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar sot marrëveshjen për koalicion qeverisës, duke i hapur rrugë krijimit të kabinetit qeveritar ‘Kurti’.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga dy lidërët e partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij para mediave Albin Kurti tha se ky nuk ishte një proces i lehtë. “U dakordësuam për të zgjedhur qeverinë e re. Ne e kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha. Kryetari Mustafa do mbajë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. Unë si kryetar i Vetëvendosje mësova se po organizohet referendumi. Ishte një proces jo i lehtë.”, tha Kurti. Po ashtu Kurti tha se me LDK-në janë dakordësuar që kjo qeveri të ketë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra.
Arritja e marrëveshjes u konfirmuar dhe nga Isa Mustafa, i cili theksoi se ky hap do të jetë në të mirë të Kosovës. “Ne kemi arritur marrëveshje. E vlerësojmë e është marrëveshje në dobi të Kosovës. Marrëveshja është rezultat i mirëkuptimi dhe një pune mjaft të gjatë. Kemi hulumtuar të gjitha alternativat dhe kemi ardhur në një zgjidhje që mendojmë se është në interes të Kosovës.”, pohoi ai.
EU News.al e lajmeroi mbrëmjen e djeshme përmbylljen e marrëveshjes mes VV dhe LDK gjate ditës së sotme. Burime të sigurta të EU News.al në Prishtinë, Bruksel dhe Berlin konfirmuan arritjen e marreveshjes për formimin e qeverisë së re të Kosovës, e cila do të votohet në seancën parlamentare të datës 3 shkurt.

Kujtojmë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti mori më 20 janar mandatin për formimin e qeverisë së re të Kosovës nga Presidenti Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.
Eunews.al

