×
Wednesday, June 17, 2026

Nën hijen e Ukrainës dhe Lindjes së Mesme, Trump në qendër të vëmendjes së samitit G7

June 16, 2026


Samiti i liderëve të G7 në Evian-les-Bains të Francës po zhvillohet mes sfidave të mëdha globale, me luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme që dominojnë axhendën, ndërsa vëmendja kryesore është përqendruar te presidenti amerikan Donald Trump.

Përpara nisjes së samitit, organizatorët francezë kishin shqetësime lidhur me mbërritjen dhe qëndrimin e Trump ndaj aleatëve perëndimorë. Presidenti francez Emmanuel Macron madje shtyu hapjen e samitit me një orë, për t’i mundësuar presidentit amerikan të festonte ditëlindjen e tij të 80-të në SHBA para udhëtimit drejt Francës.

Ndryshe nga samitet e kaluara, ku Trump është përplasur shpesh me liderët europianë, këtë herë ai mbërriti me një ton më pajtues. Takimi i tij me Macron u karakterizua nga një atmosferë miqësore, ndërsa mediat i kushtuan vëmendje edhe momenteve simbolike gjatë pritjes zyrtare.

Megjithatë, tensionet tregtare mbeten në sfond. Para nisjes për në Francë, Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave deri në 100% ndaj verërave franceze nëse Parisi nuk heq taksën ndaj kompanive amerikane të teknologjisë. Macron iu përgjigj duke theksuar se çështje të tilla nuk mund të zgjidhen përmes presioneve publike.

Një tjetër temë që pritet të diskutohet në samit është telefonata e fundit mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, e zhvilluar me rastin e ditëlindjes së presidentit amerikan.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijë në Evian për bisedime me liderët e G7, përfshirë një takim me Trumpin. Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Ukrainën, pasi Bashkimi Evropian ka nisur zyrtarisht fazën e parë të negociatave të anëtarësimit me Kievin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Ukraina ka përmbushur detyrimet e saj dhe se tashmë i takon Bashkimit Evropian të avancojë më tej procesin e integrimit.

Në qendër të diskutimeve mbetet gjithashtu marrëveshja e paralajmëruar mes SHBA-së dhe Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Liderët evropianë e kanë mirëpritur me optimizëm të kujdesshëm zhvillimin, duke shpresuar se mund të shmanget një përshkallëzim rajonal dhe të rikthehet liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, Bashkimi Evropian ka theksuar se çdo lehtësim i sanksioneve ndaj Iranit do të varet nga zbatimi i angazhimeve konkrete dhe të verifikueshme nga Teherani.

Samiti pritet të fokusohet në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e dy krizave më të mëdha aktuale, ndërsa Donald Trump mbetet figura qendrore e diskutimeve, si në raport me Ukrainën ashtu edhe me zhvillimet në Lindjen e Mesme.




Comments are closed.