Me uniforma dhe simbole të UÇK-së, ish-luftëtarët mbërrijnë në Portin e Durrësit

18 Sep 2026 09:39
Shpërndaje:

Dhjetëra ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbërritën mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit, dy ditë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.

Të veshur me uniforma, me flamuj dhe simbole të UÇK-së, ata mbanin edhe sloganin “Liria ka emër”, në shenjë mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ish-luftëtarët kishin qëndruar prej disa ditësh në Hagë, ku ndoqën shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë. Përpara nisjes, ata kishin njoftuar se do të udhëtonin drejt Shqipërisë me uniformat e UÇK-së, për të përcjellë mesazhe mbështetjeje dhe vetëpërmbajtjeje.

Reklamë Ola

Pjesëtarët e grupit shprehën shpresën se vendimi do të ndryshojë në Apel, ndërsa kërkuan që reagimet pas aktgjykimit të zhvillohen në mënyrë të qetë.

Pas mbërritjes në Durrës, në emër të ish-luftëtarëve foli Ismail Selimi, i njohur si komandant Mala i Tetovës. Ai tregoi për përjetimin e procesit gjyqësor në Hagë dhe shprehu zhgënjimin për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si edhe për qëndrimet e politikës.

Reklamë InterMedika

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burg, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite. Ata u shpallën fajtorë për krime lufte dhe të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi, i cili ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.