Kuvendi miratoi me 84 votat e mazhorancës formulën e re për përcaktimin e pagës referuese të magjistratëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkonte ndërhyrjen e ligjvënësit.
Projektligji parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8.500 lekë. Përfaqësuesit e magjistratëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishin kërkuar një rritje afro nëntë herë më të lartë, me rreth 80 mijë lekë.
Votimi nuk i dha fund përplasjes mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Opozita e kundërshtoi formulën e mazhorancës, duke e cilësuar “puç kushtetues”, ndërsa kryeministri Edi Rama mbrojti kompetencën e Kuvendit për të përcaktuar nivelin e pagave.
Rama: Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i shkruajë formulën Kuvendit
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të kontrollojë ligjet, të konstatojë shkelje dhe të shfuqizojë dispozita, por jo të hartojë vetë formulën që duhet të miratojë Parlamenti.
Për ta shpjeguar këtë qëndrim, ai e krahasoi rolin e Gjykatës Kushtetuese me atë të një arbitri në një ndeshje.
“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi, penalltinë do ta gjuaj unë’”, tha Rama.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund t’i tregojë Kuvendit se kur një vendim cenon Kushtetutën, por nuk mund t’u diktojë deputetëve tekstin, formulën apo shumën që duhet të votojnë.
“Ajo nuk mund t’i thotë kurrë një pushteti të pavarur si Kuvendi se si duhet ta ngrejë dorën”, deklaroi kryeministri.
Rama solli si shembull taksat, pensionet dhe dispozitat penale, duke argumentuar se Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë një normë antikushtetuese, por nuk mund të përcaktojë vetë nivelin e një takse, masën e një pensioni apo dënimin për një vepër penale.
“Këto janë zgjedhje që kërkojnë ligj, debat publik, vlerësim financiar dhe votë parlamentare”, u shpreh ai.
“Reforma prishi piramidën e pagave”
Kryeministri pranoi se gjatë miratimit të reformës në drejtësi pagat e magjistratëve u rritën ndjeshëm, me synimin për të garantuar pavarësinë e tyre dhe për të tërhequr profesionistë të motivuar në sistem.
Sipas tij, ky vendim krijoi një pabarazi të madhe me pjesën tjetër të administratës publike dhe prishi piramidën e pagave në vend.
“Në vitin kur kemi bërë Reformën në Drejtësi kemi marrë përsipër të bëjmë diçka, në thonjëza, të padrejtë. Kemi rritur pagat e magjistratëve në një mënyrë stratosferike për normat dhe nivelin e pagave tona”, tha Rama.
Ai kundërshtoi kërkesën që paga e magjistratëve të rritet automatikisht sa herë rriten pagat e kategorive të tjera.
“Me cilën logjikë kërkohet që sa herë të rritet paga këtu, duhet të rritet edhe atje? Sipas kësaj logjike do të ndërtojmë të vetmin sistem që ka parë historia e botës, ku gjykatësit janë mbi të gjithë”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se paga e gjyqtarëve mbrohet nga Kushtetuta dhe nuk mund të ulet, si garanci ndaj presionit apo hakmarrjes së mundshme politike. Por, sipas tij, mosrritja në të njëjtën masë me pagat e tjera nuk përbën ulje të fshehtë.
Kritika për KLGJ-në dhe KLP-në
Kryeministri shprehu shqetësim edhe për veprimet e ndërmarra nga shoqatat e magjistratëve dhe institucionet e drejtësisë pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ai foli për veprime të koordinuara, duke përmendur hetues që kanë shkuar në Ministrinë e Financave, prokurorë në dyert e Thesarit dhe, sipas tij, gjyqtarë që kanë ushtruar presion ndaj zyrtarëve.
“Jemi në kushtet e një trupe e cila po shijon pavarësinë e vet. Ne kemi përgjegjësinë ta forcojmë ndarjen e pushteteve, por edhe të tregojmë se ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri”, tha Rama.
Në vlerësimin e reformës në drejtësi, kryeministri cilësoi SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme si dy sukseset e saj, por kritikoi ashpër KLGJ-në dhe KLP-në.
“Nëse Reforma në Drejtësi ka dy suksese, unë shoh SPAK-un dhe GJKKO-në, me të gjitha problematikat. Por nëse ka një faliment, janë ato dy këshilla”, deklaroi ai.
Rama përmendi gjithashtu stokun e lartë të çështjeve gjyqësore dhe qytetarët që presin prej vitesh zgjidhjen e dosjeve të tyre.
Qeveria paralajmëron ligj të ri për pagat
Kryeministri bëri të ditur se qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri që synon të ribalancojë piramidën e pagave dhe t’i japë fund lidhjes automatike mes rritjes së pagave në administratë dhe atyre të magjistratëve.
Sipas tij, për këtë nismë kanë nisur kontaktet me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë.
“Ne jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo histori që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet të rritet edhe paga atje, duhet të marrë fund”, tha Rama.
Ai mohoi se nisma përbën presion ndaj drejtësisë dhe deklaroi se qëllimi është shmangia e një konflikti mes pushteteve dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm pagash.
Mazhoranca e konsideron formulën e miratuar si zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese brenda hapësirës që i takon ligjvënësit. Opozita dhe përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë kanë kundërshtuar këtë interpretim, duke lënë të hapur vijimin e përplasjes institucionale.


