Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim, por theksoi se tashmë vendi duhet të përqendrohet te forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe rezultatet e qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit.
Në një videomesazh drejtuar Konferencës Ndërparlamentare në Tiranë, McAllister e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Europian si një proces me rëndësi strategjike për sigurinë, prosperitetin dhe stabilitetin e gjithë kontinentit.
“Në qendër të programit të BE-së është begatia, prosperiteti dhe siguria, dhe zgjerimi ndihmon në forcimin e të tria këtyre shtyllave”, u shpreh ai.
Sipas McAllister, lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar edhe më qartë rëndësinë gjeopolitike të zgjerimit. Ai paralajmëroi se mbajtja për një kohë të gjatë e vendeve kandidate në pasiguri mund të krijojë hapësirë për ndikimin e aktorëve të tretë.
Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE-së kërkoi që Bashkimi Europian të avancojë negociatat sa herë që vendet kandidate përmbushin kriteret. Procesi, sipas tij, duhet të funksionojë në të dyja drejtimet: kandidatët të realizojnë reformat dhe BE-ja t’i njohë rezultatet duke ndërmarrë hapat e radhës drejt anëtarësimit.
“BE-ja duhet të mbajë angazhimin që ka ndërmarrë. Përgjegjësia është dypalëshe: vendet duhet të ecin përpara me reformat dhe BE-ja duhet t’i njohë arritjet”, deklaroi McAllister.
Duke u ndalur konkretisht te Shqipëria, ai vlerësoi hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave, duke thënë se kjo pasqyron një punë të konsiderueshme të kryer nga vendi. Shqipëria përfundoi hapjen e të gjashtë grupkapitujve të negociatave në fund të vitit 2025.
“Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt dhe këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë. Kjo punë i duhet njohur Shqipërisë”, tha ai.
Megjithatë, McAllister theksoi se faza e ardhshme kërkon vazhdimin e reformave, veçanërisht në fushat që lidhen me sundimin e ligjit.
“Tashmë sfida që qëndron është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, si dhe të sigurohemi që institucionet publike t’u shërbejnë mirë qytetarëve të vet”, deklaroi ai.
Edhe gjatë vizitës së tij në Tiranë në shkurt, McAllister kishte theksuar se hapja e të gjithë kapitujve nuk duhet të sjellë vetëkënaqësi dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë punën për përmbushjen e kritereve dhe përfundimin e negociatave.
Në përfundim të mesazhit, ai garantoi vazhdimin e mbështetjes së Parlamentit Europian për dy vendet që janë më të avancuara në procesin e negociatave në Ballkanin Perëndimor.
“Parlamenti Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe Malin e Zi në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit”, përfundoi McAllister.


