Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dënuar me 18 vjet burgim ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe një prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Charles Smith, në kuadër të procesit ndaj Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Gjykata e shpalli Veselin fajtor për disa pika të aktakuzës dhe caktoi ndaj tij dënimin me 18 vjet heqje lirie.
Veseli ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ai është deklaruar i pafajshëm dhe i ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi në prill të vitit 2023, ndërsa aktakuza përfshinte pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vendimi i shpallur nga Dhomat e Specializuara është i shkallës së parë dhe jo përfundimtar. Mbrojtja dhe Prokuroria kanë të drejtë ta apelojnë sipas procedurave të gjykatës.


