Malaj: Banka Shqiptare e Zhvillimit do të financojë sektorët e nënfinancuar dhe projektet strategjike
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se Banka Shqiptare e Zhvillimit do të luajë një rol kyç në mbështetjen e sektorëve ekonomikë që kanë akses të kufizuar në financim, si dhe në financimin e projekteve strategjike të qeverisë shqiptare.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Malaj bëri të ditur se drejtuesit e Bankës Shqiptare të Zhvillimit prezantuan ecurinë dhe zhvillimet më të fundit të institucionit, i cili synon të kthehet në një instrument të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas ministrit, banka është konceptuar me një kapital fillestar prej rreth 10 miliardë lekësh, ose afërsisht 100 milionë euro, duke krijuar kapacitetet për të mbështetur projekte dhe sektorë me ndikim të rëndësishëm në ekonomi.
“Ky institucion është konceptuar për t’u ndërtuar me një kapital prej rreth 10 miliardë lekësh, ose 100 milionë euro. Është një institucion financiar i cili do të ketë potencial të plotë për të financuar nga minimalisht 500 milionë euro deri në maksimalisht 1 miliard euro”, deklaroi Malaj.
Ministri theksoi se misioni kryesor i bankës do të jetë financimi i sektorëve që aktualisht konsiderohen të nënfinancuar, si dhe i bizneseve që kanë vështirësi në sigurimin e financimit nga tregu tradicional bankar.
“Koncepti i bankës është që të financojë ato sektorë të cilët janë të nënfinancuar, të financojë ato ndërmarrje të cilat nuk kanë akses në financë, si dhe të financojë projekte strategjike të qeverisë shqiptare”, u shpreh ai.
Malaj renditi edhe sektorët prioritarë që pritet të përfitojnë nga aktiviteti i Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Mes tyre janë bujqësia dhe agropërpunimi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projektet infrastrukturore strategjike, banesat sociale, inovacioni dhe digjitalizimi, si dhe investimet në energji dhe eficiencë energjetike.
Sipas tij, institucioni i ri financiar do të plotësojë boshllëqet ekzistuese në tregun financiar shqiptar dhe do të krijojë mundësi të reja financimi për sektorë që aktualisht përballen me vështirësi në sigurimin e kapitalit.
“Ky është një institucion i cili do të jetë një vlerë e shtuar në tregun financiar shqiptar dhe do të jetë komplementar, duke financuar pikërisht sektorët që nuk kanë akses në financë ose janë të nënfinancuar”, tha ministri.
Banka Shqiptare e Zhvillimit konsiderohet një nga instrumentet e reja financiare të qeverisë për të nxitur investimet, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë, duke mbështetur njëkohësisht objektivat strategjikë të vendit.







