Karakaçi: Pas verës nis prishja e mbikalimit të Rinasit, punimet në Tiranë-Durrës po ecin me ritme të mira
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se punimet për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës po vijojnë sipas planit, ndërsa bëri të ditur se menjëherë pas përfundimit të sezonit veror do të nisë prishja e mbikalimit ekzistues të Rinasit për t’i hapur rrugë ndërtimit të një strukture të re.
Në një prononcim për mediat, Karakaçi theksoi se projekti po ecën me ritme të kënaqshme dhe se deri tani janë përfunduar 6 kilometrat e para të segmentit.
“Kanë përfunduar 6 km e parë dhe çdo qytetar që kalon me automjet e konstaton që faza pasardhëse është në punime të avancuara”, u shpreh ministri.
Ai sqaroi se aktualisht është duke u ndërtuar një mbikalim i ri përballë një qendre tregtare, i cili do të krijojë mundësi më të mira lëvizjeje për banorët e zonës.
“Jemi krejtësisht të hapur që të ulemi dhe të shohim nëse ka nevojë shtesë për mbikalime, të ulemi me grupet e interesit dhe të shikojmë se cilat janë mundësitë. Ajo çfarë është e rëndësishme është që aty puna po ecën”, tha Karakaçi.
Ministri bëri të ditur se një nga fazat më të rëndësishme të projektit mbetet demolimi i mbikalimit të Rinasit, i cili do të zëvendësohet me një strukturë të re për të mundësuar zgjerimin e rrugës në katër korsi.
“Plani është që të demolohet mbikalimi i Rinasit dhe të ndërtohet një mbikalim i ri që krijon hapësirën e katër korsive. E kemi të pamundur të punojmë për demolimin e atij mbikalimi gjatë sezonit veror. Do të fillojë shumë shpejt menjëherë pas sezonit veror pasi është pjesë e fazave të punimeve që janë duke u ndërtuar gjatë kësaj kohe”, deklaroi ai.
Karakaçi shtoi se gjatë muajve të verës puna do të vijojë në segmentet e tjera të projektit, veçanërisht në zonën që përfshin mbikalimin e Kasharit dhe shtrihet deri pranë Casa Italia.
“Gjatë kësaj periudhe dhe sezonit veror është duke u punuar me ritme shumë të kënaqshme për të përfunduar segmentin që kalon edhe mbikalimin e Kasharit dhe shkon pothuajse deri te Casa Italia”, tha ministri.
Kreu i Infrastrukturës nënvizoi gjithashtu se Autoriteti Rrugor Shqiptar po bashkëpunon me bizneset dhe grupet e interesit për të adresuar çështjet që lidhen me hyrje-daljet e subjekteve tregtare përgjatë aksit.
“ARRSH-ja është duke punuar edhe me grupet e interesit për hyrjet e daljet e subjekteve tregtare në të gjitha nyjet përkatëse siç është nyja e Rinasit apo nyjet e tjera, sepse patjetër ajo rrugë i shërben qytetarëve. Por ne e dimë që aty ka dhe subjekte tregtare që janë në të dyja krahët e rrugës dhe jemi duke marrë me vëmendje të gjitha propozimet që na vijnë nga grupet e interesit”, përfundoi Karakaçi.







