Qeveria miraton programin “Hospitality Albania”, vilat qeveritare do të menaxhohen nga Korporata e Investimeve
Këshilli i Ministrave miratoi sot programin “Hospitality Albania”, një nismë e re që synon rikualifikimin dhe shfrytëzimin më efikas të aseteve shtetërore përmes bashkëpunimit me sektorin privat.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë. Sipas saj, programi do të menaxhohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe në fazën e parë përfshin administrimin e vilave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë.
Ibrahimaj theksoi se objektivi kryesor i programit është krijimi i vlerës ekonomike përmes një menaxhimi më të mirë të pronave shtetërore dhe aktivizimit të partneriteteve me sektorin privat.
“Qëllimi kryesor i këtij programi është rikualifikimi dhe shfrytëzimi më efikas i aseteve shtetërore, përmes bashkëpunimit me sektorin privat dhe me synim krijimin e vlerës ekonomike”, deklaroi ministrja.
Ajo sqaroi se modeli i bashkëpunimit nuk parashikon transferimin e pronës publike tek subjektet private, por lidhet vetëm me administrimin dhe menaxhimin e kapaciteteve ekzistuese.
“Dua të theksoj qartë se bashkëpunimi me sektorin privat lidhet vetëm me menaxhimin e kapaciteteve shtetërore. Në asnjë rast prona shtetërore nuk transferohet tek privati”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas ministres, vendimi i miratuar nga qeveria i hap rrugë Korporatës Shqiptare të Investimeve që të vijojë me procedurat për sqarimin e statusit pronësor të sipërfaqeve përreth objekteve të përfshira në program.
Ky proces do të përfshijë verifikimin e rasteve ku mund të ketë mbivendosje mes pronës publike dhe asaj private, me qëllim krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të programit.
Programi “Hospitality Albania” synon të kthejë asetet shtetërore me potencial turistik dhe ekonomik në hapësira më funksionale, duke rritur eficiencën e përdorimit të tyre dhe duke gjeneruar më shumë vlerë për ekonominë e vendit.







