Rama: SPAK po verifikon pronësinë në Zvërnec, investitorët janë të çliruar nga çdo dyshim
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot si një zhvillim pozitiv sqarimin e origjinës së fondeve të përdorura për blerjen e tokës në Zvërnec, duke theksuar se investitorët e përfshirë në projekt janë tashmë të çliruar nga çdo dyshim që lidhet me transaksionin.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Rama u ndal te procesi i verifikimit të pronësisë dhe fondet e përfshira në blerjen e tokës, duke e konsideruar ndërhyrjen e SPAK-ut si një garanci për transparencë dhe ligjshmëri.
Sipas tij, është po aq pozitive edhe vendimmarrja e Prokurorisë së Posaçme për të mbajtur të ngrira fondet e transaksionit, pa i kaluar ato tek shitësi, ndaj të cilit po zhvillohet një proces hetimor.
“Kjo në këndvështrimin tim është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se hetimi i nisur do të japë një rezultat të qartë dhe të pakontestueshëm nga pikëpamja ligjore, duke i dhënë fund, sipas tij, spekulimeve dhe pretendimeve të pabazuara.
“Rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe do t’i japë fund çdo spekulimi, manipulimi dhe pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, u shpreh ai.
Rama sqaroi se nëse hetimet provojnë se shitësi ka pasur të drejtë ligjore mbi pronën, fondet e bllokuara do t’i kalojnë atij. Në të kundërt, nëse konstatohet se prona nuk ka pasur origjinë të ligjshme, fondet do të mbeten në dispozicion të shtetit.
“Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës do të marrë paratë. Nëse nuk e ka, paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe do të përdoren për cilindo që do të pretendojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”, tha kryeministri.
Sipas Ramës, procesi i hetimit krijon garanci për të gjithë personat që pretendojnë të drejta pronësie në zonë dhe ndan qartë çështjen ligjore nga debatet politike dhe publike që kanë shoqëruar projektin.
“Këtu merr fund çdo lloj shqetësimi i atyre që janë pretendentë të sinqertë të pronës dhe çdokush tjetër që shfaqet si pretendent me ‘Shqipërinë e shqiptarëve’ në gojë dhe me kurdisjen e duarve të tjera nga mbrapa mund të vazhdojë të shfaqet, por nuk është më problemi ynë”, përfundoi Rama.







