×
Wednesday, June 3, 2026

Marta Kos: Shqipëria ndër vendet me performancën më të mirë në procesin e anëtarësimit në BE

June 3, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, përfaqësues të vendeve anëtare dhe institucioneve kryesore të BE-së, në një ceremoni falënderimi pas zhvillimeve pozitive të shënuara në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Takimi u organizua në përfundim të Konferencës së Tetë Ndërqeveritare BE-Shqipëri dhe pas miratimit të raportit IBAR (Interim Benchmark Assessment Report), i cili vlerëson progresin e vendit në përmbushjen e kritereve kyçe të procesit të negociatave.

Gjatë fjalës së saj, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se rezultatet e arritura janë fryt i një pune shumëvjeçare dhe i angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve shqiptare.

“Arritje të tilla nuk realizohen brenda një muaji apo një viti. Ato janë rezultat i shumë viteve pune të palodhur. Sigurisht, jo gjithçka është përfunduar ende, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi i procesit të anëtarësimit është që, kur të arrini në fund të tij, të jeni plotësisht të përgatitur”, u shpreh Kos.

Komisionerja theksoi se Shqipëria është aktualisht një nga vendet me performancën më të mirë mes vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kur dikush dyshon se Shqipëria është vërtet ndër vendet me performancën më të mirë, përgjigjja ime është e thjeshtë: më tregoni një vend tjetër që ka bërë kaq shumë, me kaq vendosmëri dhe me kaq mbështetje nga qytetarët e vet. Asnjë vend tjetër kandidat nuk e ka bërë këtë. Prandaj, ju lutem, vazhdoni në këtë rrugë”, deklaroi ajo.

Nga ana e tij, ministri Ferit Hoxha e cilësoi Konferencën e Tetë Ndërqeveritare si një moment historik për Shqipërinë në procesin e integrimit europian.

Sipas tij, miratimi i raportit IBAR përbën një konfirmim të rëndësishëm se reformat dhe puna e kryer nga institucionet shqiptare po japin rezultate konkrete dhe po vlerësohen nga partnerët europianë.

“Konferenca Ndërqeveritare ishte një moment i vërtetë historik për Shqipërinë. Me miratimin e IBAR, tashmë kemi konfirmimin se puna që po bëhet në Shqipëri është serioze, e besueshme dhe efektive”, u shpreh Hoxha.

Kryediplomati shqiptar falënderoi Komisioneren Marta Kos, Komisionin Evropian dhe të gjithë partnerët europianë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ceremonia në Bruksel u zhvillua në një moment kur Shqipëria po hyn në një fazë të re të negociatave me BE-në, me objektivin për të avancuar më tej hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues në vitet e ardhshme.




Comments are closed.