×
Wednesday, June 3, 2026

Dhoma e Tregtisë: Investimet strategjike në turizëm rrisin vlerën ekonomike të Shqipërisë

June 3, 2026


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT) vlerëson se investimet e mëdha të huaja në turizmin cilësor janë vendimtare për transformimin e modelit turistik të Shqipërisë, duke e orientuar zhvillimin e sektorit nga rritja e numrit të vizitorëve drejt rritjes së vlerës ekonomike që ata gjenerojnë.

Sipas DHTIT-së, Shqipëria ka regjistruar një rritje të qëndrueshme të fluksit turistik gjatë viteve të fundit, duke u shndërruar në një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë në rajon. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2025 vendi priti rreth 12.5 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 7% krahasuar me vitin 2024 dhe 82% më shumë se në vitin 2019.

Megjithatë, Dhoma e Tregtisë vëren se shpenzimi mesatar për turist mbetet ende më i ulët se në destinacionet e zhvilluara turistike të rajonit, duke kufizuar ndikimin ekonomik të sektorit.

Sipas saj, modeli aktual, i mbështetur kryesisht në turizmin sezonal dhe në akomodimet me kosto të ulët, kufizon të ardhurat për ekonominë vendase, investimet afatgjata dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës.

Në këtë kontekst, DHTIT e konsideron projektin e planifikuar në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, me një vlerë të deklaruar prej rreth 4 miliardë eurosh, si një investim me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit me vlerë të lartë në Shqipëri.

Sipas vlerësimit të Dhomës së Tregtisë, investimi i parashikuar nga Affinity Partners pritet të krijojë rreth 1 mijë vende pune në komponentin e Sazanit, ndërsa mijëra vende të tjera pune pritet të gjenerohen gjatë fazës së ndërtimit dhe funksionimit të plotë të projektit.

DHTIT thekson se ndikimi i projekteve të kësaj shkalle nuk matet vetëm me numrin e vendeve të punës apo me vlerën financiare të investimit, por edhe me efektin që ato kanë në tërheqjen e kapitalit të huaj dhe përmirësimin e perceptimit të Shqipërisë si destinacion investimesh.

“Megjithatë, efekti i tij ekonomik shkon përtej shifrave të drejtpërdrejta. Një investim i kësaj shkalle dhe i kësaj cilësie funksionon si katalizator: prania e fondeve ndërkombëtare të nivelit të lartë rivlerëson Shqipërinë si destinacion serioz investimi dhe nxit hyrjen e kapitalit dhe operatorëve të tjerë ndërkombëtarë në treg”, thuhet në deklaratën e DHTIT.

Dhoma e Tregtisë vëren se investimet strategjike japin rezultatet më të mira kur shoqërohen me standarde të larta institucionale, mjedisore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, duke krijuar një bazë të fortë për rritjen afatgjatë të sektorit turistik.

Në përfundim, DHTIT u bën thirrje institucioneve publike, komuniteteve lokale dhe biznesit që projektet strategjike në turizëm të shihen si mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë dhe krijimin e më shumë vlerës së shtuar për ekonominë kombëtare.




Comments are closed.