Malaj: 10,3 miliardë lekë shtesë për mbrojtjen, buxheti arrin në 2,6% të PBB-së
Akti Normativ për Buxhetin 2026 parashikon një financim shtesë prej 10, 3 miliardë lekësh për sektorin e mbrojtjes, duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se përmes këtij akti normativ synohet forcimi i mbrojtjes kombëtare dhe modernizimi i kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
“Përmes Aktit Normativ për Buxhetin 2026, forcojmë mbrojtjen kombëtare dhe përmbushim angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s”, deklaroi Malaj.
Sipas tij, krahas rritjes së financimit, është parashikuar edhe shtimi me 300 efektivë të rinj në Forcat e Armatosura.
“Me një financim shtesë prej 10,3 miliardë lekësh dhe 300 efektivë të rinj në Forcat e Armatosura, buxheti i mbrojtjes arrin në 2,6% të PBB-së, duke garantuar modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e sigurisë së vendit. Një Shqipëri më e sigurt, më e fortë dhe një aleate më e denjë”, u shpreh ministri Malaj.







