Ligji i ri për shëndetin e bimëve, Shqipëria afron standardet fitosanitare me BE-në

08 Jun 2026 17:21
Shpërndaje:

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se ligji i ri “Për shëndetin e bimëve” synon forcimin e sistemit të mbrojtjes fitosanitare në vend dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimi Evropian.

Sipas ministrisë, ligji krijon një kuadër modern për mbrojtjen e shëndetit të bimëve, duke përcaktuar rregulla të qarta për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve fitosanitare që lidhen me dëmtuesit e bimëve dhe produkteve bimore.

Kuadri i ri ligjor parashikon masa konkrete për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së dëmtuesve në territorin e Shqipërisë, reduktimin e rreziqeve fitosanitare dhe mbrojtjen e prodhimit bujqësor, biodiversitetit dhe mjedisit.

Reklamë Ola

Po ashtu, ligji synon të garantojë shëndetin e bimëve dhe produkteve bimore në përputhje me standardet bashkëkohore, duke krijuar kushte më të sigurta për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe për tregtimin e produkteve shqiptare në tregje më të gjera.

Një nga risitë e aktit është zgjerimi i fushës së monitorimit dhe mbrojtjes edhe për bimët joparazitare që mund të paraqesin rrezik fitosanitar me ndikim ekonomik, social apo mjedisor.

Reklamë InterMedika

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, miratimi i këtij ligji përbën një hap të rëndësishëm në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e sigurisë ushqimore dhe forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve fitosanitare.

Autoritetet vlerësojnë se zbatimi i ligjit do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e kulturave bujqësore, rritjen e cilësisë së prodhimit vendas dhe përmirësimin e standardeve të kontrollit fitosanitar në të gjithë vendin.