×
Sunday, May 31, 2026

Lamallari: Arrestohet roja që dhunoi protestuesin në Zvërnec, nis hetimi për zinxhirin drejtues të Policisë në Vlorë

May 31, 2026


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri të ditur se është arrestuar punonjësi i shoqërisë private të sigurisë që u filmua duke goditur me grusht një qytetar gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Zvërnec. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka nisur edhe një hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë lidhur me menaxhimin e tubimit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, pas verifikimit të pamjeve filmike dhe kryerjes së veprimeve hetimore, u identifikua dhe u shoqërua shtetasi G.B., 32 vjeç, banues në Durrës, punonjës i shoqërisë private të sigurisë që operonte në kantierin ku po zhvillohej protesta.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, ai u arrestua në flagrancë si i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Nga hetimet paraprake rezulton se 32-vjeçari ka goditur me grusht shtetasin E.S. gjatë tubimit dhe më pas, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të identifikuar me inicialet A.G. dhe G.V., të cilët janë proceduar penalisht, e ka tërhequr me forcë drejt ambientit të rezervuar për rojet e sigurisë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar në zonën e Zvërnecit, ku qytetarë dhe banorë lokalë kundërshtuan projektet zhvillimore të parashikuara në këtë zonë.

Paralelisht me hetimet penale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë një hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Hetimi do të fokusohet në masat e marra nga strukturat policore për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës, si dhe në mënyrën e menaxhimit të situatës që çoi në incidentin e regjistruar në pamjet filmike.

Ministri Lamallari theksoi se institucionet ligjzbatuese do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje të ligjit, ndërsa ngjarja po hetohet për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë e personave të përfshirë dhe të strukturave që kishin detyrimin të garantonin mbarëvajtjen e tubimit.




Comments are closed.