Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë të forcojnë garancitë për qytetarët, pa cenuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Projektndryshimet u prezantuan më 30 shtator në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe kanë në fokus paraburgimin, masat alternative ndaj arrestit në burg, forcimin e garancive procedurale dhe mbrojtjen e të drejtave të individit. Ministria e Drejtësisë i ka paraqitur ato si pjesë të një reforme që synon të krijojë një ekuilibër mes efektivitetit të procedimit penal dhe mbrojtjes së lirive themelore.
Gogu ka theksuar se përballja me kriminalitetin e rëndë mbetet një prioritet i pandryshuar dhe se reforma nuk synon të dobësojë instrumentet e hetimit ndaj korrupsionit apo krimit të organizuar.
Në një video të publikuar prej ministrit, Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Antwerp dhe ekspert i Këshillit të Evropës, ka vlerësuar procesin e hartimit të ndryshimeve, duke thënë se gjatë diskutimeve janë lënë jashtë disa propozime që mund ta vështirësonin hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.
“Gjatë diskutimeve shumë ndryshime dhe shumë ide që do ta bënin më të vështirë hetimin në çështjet e korrupsionit dhe në çështjet e krimit të organizuar të nivelit të lartë u lanë mënjanë”, deklaroi Byl.
Ai shtoi se procedura penale shqiptare po afrohet me standardet ndërkombëtare dhe e cilësoi paketën si një instrument të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.
Këshilli i Evropës, i cili ka asistuar procesin me ekspertizë teknike, ka vlerësuar se drafti synon përputhjen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke ruajtur njëkohësisht efektivitetin e ndjekjes penale.
“Mendoj se legjislacioni dhe procedura shqiptare po sillen në përputhje me standardet ndërkombëtare”, u shpreh Byl, duke shtuar se paketa është rezultat i një pune disa mujore.
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë aktualisht pjesë e procesit të konsultimit publik, përpara se të vijojnë hapat e mëtejshëm të miratimit.


