Kurti: Javën e ardhshme mund të arrihet marrëveshja me LDK-në

02 Aug 2026 13:01
Shpërndaje:

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekziston “vullnet dhe gatishmëri” mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja gjatë javës së ardhshme.

Kurti tha se të dyja palët do të shfrytëzojnë ditët në vijim për t’u përgatitur për seancën konstituive të Kuvendit më 6 gusht, por theksoi se rezultati i bisedimeve mbetet i pasigurt.

“Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, konfirmoi se partia është e gatshme të negociojë me Vetëvendosjen, por vetëm mbi disa parime, mes tyre një marrëveshje që të përfshijë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën, si edhe dakordësi për programin qeverisës dhe ndarjen e përgjegjësive.

Vetëvendosje, e cila fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka 53 mandate dhe, me mbështetjen e deputetëve të pakicave joserbe, siguron shumicën për formimin e Qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në Kuvend, çka e bën të rëndësishëm një marrëveshje me LDK-në, e cila ka 18 mandate.

Reklamë InterMedika

Analistët politikë vlerësojnë se përçarjet e brendshme në LDK mund ta vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje dhe sigurimin e mbështetjes së plotë të grupit parlamentar.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, legjislatura shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.