Pse Veliaj kërkon fjalim në Asamblenë e PS…?!

11 Nov 2026 • 23:29
Shpërndaje:

Nga: Nazmir Lubani

Kërkesa e Erion Veliajt për të folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, më 14 nëntor, nga paraburgimi, nuk mund të lexohet thjesht si dëshirë për të ushtruar një të drejtë statutore.
Ajo është, mbi të gjitha, një lëvizje politike. Veliaj kërkon një tribunë për të folur përpara njerëzve me të cilët ka ndarë pushtetin, karrierën, fitoret elektorale dhe deri dje dhe të njëjtin projekt politik. Por, mbi të gjitha, kërkon të mos lejojë që historia e tij politike të shkruhet vetëm nga të tjerët.

Çfarë kërkon në të vërtetë? Me shumë gjasë, disa gjëra njëherësh. Të akuzojë publikisht ata që i konsideron përgjegjës për izolimin e tij politik dhe institucional, të paraqesë versionin e konfliktit me Ramën; të shfajësohet përpara strukturave socialiste dhe të kërkojë mirëkuptim, ndoshta edhe falje për gabimet e veta, nëse e sheh këtë si rrugë për të ruajtur një urë komunikimi me partinë.

Reklamë Ola

Por mund të kërkojë edhe diçka më të rëndësishme. Të masë realisht se kush i qëndron pranë dhe kush e ka braktisur. Një fjalim në Asamble do të ishte edhe një test besnikërie, një mënyrë për të zbuluar nëse brenda PS-së ekziston ende një grup që e konsideron Veliajn pjesë të vetes, apo nëse ndarja ka ndodhur tashmë, pa u shpallur zyrtarisht.

Nga ana tjetër, kërkesa e tij për të folur përpara forumit më të lartë të partisë vjen në një moment kur konflikti me Edi Ramën është bërë i hapur. Edhe kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, lidhur me pretendimet e tij për presion politik, tregon se Veliaj po përpiqet ta zhvendosë betejën përtej sallës së gjyqit. Ndërsa përgjigjja e Taulant Ballës, se PS-ja nuk do të bëhet mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë, është një sinjal që nuk mund të shpërfillet. Partia po përpiqet të vendosë distancë nga beteja personale e Veliajt, duke mos marrë përsipër as barrën e mbrojtjes së tij dhe as përgjegjësinë politike për akuzat që rëndojnë mbi të.

Reklamë InterMedika

Në fund, pyetja nuk është vetëm nëse Veliaj do të marrë leje apo jo të flasë në Asamble, edhe pse përgjigjen për këtë ja dha Klosi dhe Balla. Pyetja është nëse ai kërkon të kthehet në tryezën politike, të marrë një lloj lamtumire nga njerëzit e tij, apo të shpallë një ndarje përfundimtare me një parti që dikur e ngriti në qiell dhe i dha më shumë se çdo socialisti tjetër. Mund të jetë edhe një përpjekje për të mos dalë nga historia e PS-së si një emër që u largua në heshtje. Sepse, në politikë, ndonjëherë një fjalim nuk synon të bindë ata që janë në sallë, por të regjistrojë për publikun se kush heshti, kush duartrokiti dhe kush u distancua. Dhe ndoshta kjo është ajo që Veliaj kërkon më shumë se çdo gjë tjetër. Të dijë nëse ka ende një vend për të në shtëpinë politike, ku dikur kishte një nga çelësat kryesorë dhe konsiderohej ylli i së ardhmes së të majtës.